Ylli i muzikës botërore, Dua Lipa tashmë posedon edhe shtetësinë shqiptare.
Dua Lipa u betua të shtunën dje si shtetasja më e re shqiptare para Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një ceremoni të veçantë. Më pas së bashku me familjen e saj ajo u prit edhe nga presidenti Bajram Begaj.
“Jam shumë krenare. “, tha Dua e cila gjithmonë ka folur me krenari për origjinën e saj shqiptare.

Marrja e shtetësisë shqiptare nga këngëtarja është bërë lajm edhe në ediat ndërkombëtare. Washington Post, DailyMail, PageSix, The Guardian janë vetëm disa prej medieve të huaja që raportuan për marrjen e nënshtetësisë shqiptare të yllit ndërkombëtar të muzikës.
Ajo sot është pajisur edhe me pasaportë shqiptare nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Këngëtarja ndodhet në Tiranë për festat e Nëntorit. Ajo do të përmbyllë turin e saj botëror “Future Nostalgia” me një koncert falas në sheshin Skëndërbej, në 28 Nëntor, Ditën e Pavarësisë./Katror.info