Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka publikuar raportin e ushtrimit të “Mystery Shopping”, realizuar në kuadër të projektit ACT NOW, të mbështetur nga Bashkimi Europian në Kosovë.
Ky raport analizon cilësinë e tri shërbimeve kyçe të regjistrimit të automjeteve: regjistrimi i parë, vazhdimi i regjistrimit dhe ndryshimi i pronësisë së automjetit, në tri rajone të Kosovës: Prishtinë, Gjakovë dhe Ferizaj.
Sipas raportit, shumica e respondentëve kanë pasur një përvojë pozitive gjatë marrjes së këtyre shërbimeve, duke theksuar profesionalizmin e stafit dhe efikasitetin e procedurave të pagesave.
Megjithatë, raporti vlerëson se ka ende hapësirë për përmirësime, veçanërisht në drejtim të modernizimit teknologjik dhe digjitalizimit të proceseve.
“Digjitalizimi i shërbimeve publike është një mundësi e rëndësishme për të rritur efikasitetin dhe për të përmirësuar kënaqshmërinë e qytetarëve,” theksohet në raport.
Përveç kësaj, raporti zbulon se mungesa e listave të dokumentacionit dhe pajisjet teknologjike jofunksionale vazhdojnë të krijojnë sfida për përdoruesit.
Gjithashtu, pamundësia për të kryer të gjitha procedurat në mënyrë elektronike ka rezultuar të jetë një pengesë kryesore për përdoruesit që kërkojnë qasje më të lehtë dhe më moderne.
GLPS thekson rëndësinë e adresimit të këtyre sfidave për të rritur transparencën dhe besimin në institucionet publike në Kosovë. /Katror.info
Përgatiti:
