Në Indi u mbajt festivali dhjetë ditor dedikuar ditëlindjes së zotit hindus Ganesh. Sipas popullit të atjeshëm, zoti Ganesh shënon fillimin e një periudhe të re, largimin e pengesave. Ai po ashtu sipas tyre i bekon ata me mençuri e inteligjencë.

Besimtarët, gjatë festës së Ganeshit, parakaluan nëpër rrugët e Bombeit për të përshëndetur zotin e tyre me kokë elefanti, Ganesh. Më pas, besimtarët që mbajtën figurinat e këtij zoti, i zhytën ato në det, duke besuar se kështu simbolizojnë dërgimin e zotit Ganesh në shtëpinë e tij mitike në mal me borë. Me të dërguar të tij atje, ata besojnë se ai do ti marrë me vete të gjitha brengat e problemet e adhuruesve të tij.
Festivali Ganesh në Indi zgjatë dhjetë ditë, dhe gjatë këtyre ditëve familjet hinduse adhurojnë zotin Ganesh si në shtëpi ashtu edhe në kënde rrugësh. Ata i luten atij për tu sjellë të mira dhe që tu largojë të gjitha pengesat.

Sipas besimeve hinduse, zoti Ganesh është biri i zotit Shiva dhe perëndeshës Parvati. Sipas disa burimeve, edhe pse nuk dihet se kur ka filluar të shënohet festivali Ganesh, besohet se është mbajtur në qytetin Pune që prej epokës së mbretit Shivaji, i cili ka sunduar nga viti 1630 deri në vitin 1680.