Për herë të parë në historinë e tij, Hani i Elezit do të jetë nikoqir i një ngjarjeje të madhe ndërkombëtare kulturore – CrossRoadsFest 2025, që do të zhvillohet nga 18 deri më 20 korrik. Nën moton “The Paths We Walk Together”, festivali synon të lidhë kultura dhe komunitete përmes artit, duke ofruar tri ditë plot aktivitete për të gjitha moshat: nga muzika dhe teatri, te performancat rrugore, punëtoritë, ekspozitat, ecjet në natyrë dhe diskutimet përkujtuese.
Dita 1 – E premte, 18 korrik: Festivali nis fuqishëm me një ditë të mbushur me performanca, punëtori dhe art ndërkombëtar!
Festivali nis me energji të plotë që në orët e paradites, ku fëmijët dhe të rinjtë mund të marrin pjesë në punëtori teatrore dhe performanca. Me artistë si Meli Qena, Brianda Carreras (Itali) dhe Fatbardh Kabashi, dita e parë kulmon me hapjen zyrtare në ora 20:30, ndjekur nga një mbrëmje e mbushur me dritë dhe tinguj nga Siparantum Choir, Florian Çanga, dhe Shpend Hysaj & Band, të cilët do të performojnë pranë memorialit historik “Bllaca 99”.
Dita 2 – E shtunë, 19 korrik: Dita nis me natyrë, vazhdon me punëtori dhe performanca për të gjitha mosha
E shtuna nis me “Hiking i Kujtesës”, një ecje simbolike përmes vendeve malore të Hanit të Elezit. Gjatë ditës vazhdojnë performancat ndërkombëtare dhe punëtoritë, përfshirë Green Path, një aktivitet mbi mjedisin i udhëhequr nga Bedri Bushi dhe Agron Qajani. Në mbrëmje, vizitorët do të mund të shijojnë ekspozitën “EX 99”, instalacione drite dhe performanca muzikore nga Florian Çanga, Alzan Gashi dhe Edona Reshitaj në skenën kryesore.
Dita 3 – E diel, 20 korrik: Dita e fundit e festivalit përmbyllet me mendim, krijimtari dhe një mbrëmje emocionuese plot art e muzikë
Dita e fundit përfshin tryezën shkencore “Udhëkryq i Kujtesës”, si dhe aktivitete kreative për fëmijë e të rinj. Në mbrëmje, Ilire Zajmi do të udhëheqë një mbrëmje poetike, ndërsa instalacionet e Florian Çangës do të ndriçojnë natën për të fundit herë këtë vit. Festivali mbyllet me një koncert nga Nezafete Shala & Melodia e Vjetër, që do të sjellë tinguj të dashur tradicionalë në një atmosferë të paharrueshme.
Pse Hani i Elezit?
Organizatorët kanë zgjedhur Hanin e Elezit për historinë e tij si një udhëkryq kulturash dhe komunitetesh, një vend që gjithmonë ka lidhur rrugët dhe njerëzit. CrossRoadsFest 2025 i jep kësaj pike kufitare një dimension të ri – si pikë bashkimi përmes artit dhe bashkëjetesës kulturore.