Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka filluar zyrtarisht fazën përgatitore për para-kualifikimet e FIBA EuroBasket 2029. Dardanët zhvilluan stërvitjen e parë të hënën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, ku do t’i mbajnë të gjitha seancat stërvitore gjatë kësaj jave.
Përgatitjet intensive do të zgjasin deri të premten mbrëma, ndërsa më pas ekipi do të udhëtojë drejt Shkodrës, ku më 30 nëntor, nga ora 18:00, Kosova do të përballet me Shqipërinë në një sfidë të rëndësishme për vazhdimin e garës.
Nën drejtimin e trajnerit Bujar Loci, seanca e parë është vlerësuar shumë pozitive, me lojtarët që kanë shfaqur motivim dhe angazhim maksimal për ndeshjen kundër kuqezinjve. Të martën ekipit do t’i bashkohen edhe Erjon Kastrati dhe Erolt Rrahmani, ndërsa në vend të Divine Myles, i cili mungon për shkak lëndimi, është ftuar Malcolm Armstead.
Kosova bën pjesë në grupin ku gjenden edhe Shqipëria dhe Sllovakia. Në fazën tjetër të kualifikimeve kalojnë vendi i parë dhe dy vendet e dyta më të mira nga tri grupet pjesëmarrëse. Dardanët synojnë një paraqitje të fortë për ta siguruar vazhdimësinë në rrugën drejt EuroBasket 2029./Katror.info










