Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar “The Istanbul Dream”, përfaqësuesja nga Kosova, znj. Arta Haziri Nuhiu, mori pjesë si anëtare e panelit të jurisë dhe njëkohësisht si përgjegjëse për përgatitjen e delegacionit të Kosovës, ka njoftuar vetë Nuhiu.

“Delegacioni përbëhej nga dy nxënëse të talentuara, të cilat dëshmuan nivel të lartë artistik dhe profesionalizëm të veçantë në paraqitjet e tyre:
• Ardita Ajvazi – fituese e çmimit “Best Performance”, për interpretim të spikatur dhe prezantim të jashtëzakonshëm skenik;
• Ilda Nuhiu – fituese e Çmimit të Madh “Grand Prix” në kategorinë “Meet the Young Dreamers – C Category”, duke sjellë një arritje të veçantë për Kosovën në këtë ngjarje ndërkombëtare,” u shpreh Arta Haziri Nuhiu.

Sipas saj pjesëmarrja e Kosovës në këtë festival përbën një dëshmi të qartë të përkushtimit për promovimin e talenteve të rinj, zhvillimin e artit dhe forcimin e lidhjeve kulturore ndërkombëtare.
Ajo vlerësoi lart organizimin e festivalit dhe rolin e tij në nxitjen e bashkëpunimit ndërkulturor, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për të rinjtë që shfaqin talent e pasion në fushën e artit dhe kulturës.
“Ky sukses i radhës tregon se talentet e reja nga Kosova po afirmohen me dinjitet dhe po përfaqësojnë vendin në mënyrën më të denjë në skenat ndërkombëtare,” u shpreh ajo. /Katror.info









