Në Netflix ka mbërritur dokumentari sportiv Kapitenët e Botës, i cili ka gëzuar tifozët e futbollit në mbarë botën. Dokumentari, i cili përbëhet nga gjashtë episode, aktualisht është në vendin e dytë në tabelën globale të shikueshmërisë së Netflix.
Kapitenët e Botës ofron një pamje nga prapaskenat e Kupës së Botës FIFA 2022. Fokusi kryesor është te fituesit e kampionatit, Lionel Messi dhe ekipi i tij, por dokumentari tregon edhe historitë e Luka Modriq, Cristiano Ronaldo, Neymar dhe shumë të tjerë.
Shikuesit e vlerësuan dokumentarin 8.7 në IMDb dhe 100% në Rotten Tomatoes dhe ndanë lëvdatat e tyre në rrjetet sociale.
“Ky është ndoshta një nga dokumentarët më të mirë të futbollit. Historitë e të gjithë kapitenëve ishin shumë emocionuese për mua. Fjalë për fjalë kam qarë gjatë gjithë kohës,” shkroi një tifoz futbolli në Reddit.
“Është interesante për mua se si njerëzit mendojnë se ky Botëror ishte i manipuluar. Ky dokumentar është dëshmi se nuk është e vërtetë. Ju mund të shihni se sa shumë do të thotë ai trofe për ta dhe sa shumë punuan për ta fituar atë. Më vjen mirë që Netflix vendosi të filmojë. Tani e kuptoj më mirë se çfarë ndodh jashtë fushës dhe kam më shumë respekt për lojtarët, veçanërisht për kapitenët”, shtoi një tjetër./Katror.info