Arbër Selmani, Liridona e Sadik Qaka kanë qenë mysafirë në Shtëpinë e Letërsisë në Oslo të Norvegjisë, ku krahas njëri tjetrit lexuan poezi në gjuhën shqipe edhe në atë norvegjeze.
Selmani në një postim të tij në Facebook, të mërkurën ka treguar se ka lexuar në shqip e norvegjisht poezinë e tij ‘Kur vdiq baba’, raporton Katror.info.
“Ishte fort kënaqësi me shku në Shtëpinë e Letërsisë në Oslo e me lexu krahas Sadikut e Liridonës në këtë ngjarje të organizume prej Leser søker bok”, ka shkruar ai në postimin e tij në Facebook.

Pos kësaj ai paralajmëroi edhe projektet e reja në bashkëpunim me Sadik e Liridona Qakan.
“Sadiku po e bën gati ‘Librin e gjyshes’ – ku unë jam redaktor i librit në versionin shqip, e me Liridonën po planifikojmë poezi e hulumtime të reja si bashkim i norvegjishtes me shqipen, meqë ajo shkëlqen si përkthyese”, thuhet në postimin e Selmanit.

Arbër Selmani është gazetar dhe poet nga Prishtina i cili ka publikuar katër libra dhe ka marrë pjesë në një numër të festivaleve të letërsisë në Evropë./Katror.info