“E kujtoj që babi më ka thonë: “A mundesh me qenë personi që as nuk e çel derën, po as nuk e mshel, rri qaty ka mesi, se nëse e çel derën ke me e pas shumë vështirë. — Po nuk po na nxen krejtve në mes dikush duhet me pri”
Ajo vendosi të prijë – nisi para Teatrit Kombëtar me poezinë, duke i shpallë luftë patriarkalizmit.
Priu në protestat e përvitshme “Marshojmë, s’festojmë!
E nganjëherë rrugët e Kosovës iu duken të ngushta dhe priu edhe përtej oqeanit. Adelina Tërshani udhëhoqi marshin kundër ngrohjes globale në Uashington, më 2022, – shkruan Katror.info.
Vazhdoi në Itali. Kësaj herë duke bërë thirrje për paqe. Në Festivalin për paqe Youtopic në Rondine në Itali, ku ishte edhe Presidenti italian, Sergio Mattarella, Adelina mban lart bukën – që në Kosovë, para më shumë se dy dekadash ishte simbol i marshit të grave kosovare kundër luftës
“Unë jam Adelina, dhe vij nga Kosova. Gjatë luftës, mijëra gra ecnin nga një qytet në tjetrin – në heshtje, me bukë në dorë. Ecnin për t’u çuar bukë atyre që po vdisnin nga uria. Ai marsh për jetën u ndalua nga ushtarët. Por sot, askush nuk na ndaloi të ecim për paqen. Dhe këtë bukë e ngre për ata që nuk mund ta bëjnë.”
Adelina Tërshani është një prej zërave më të veçantë të brezit të ri të aktivizmit feminist në Kosovë. Angazhimi i saj nisi nga përballja me realitetet e përditshme të grave në fshatin ku ajo u rrit, me historitë e padrejtësive që shpesh mbeten të padukshme dhe të pashprehura.
Ajo u bë pjesë e nismave që ngrenë zërin për barazi gjinore, për të drejtat e grave dhe për ndryshimin e mënyrës se si shoqëria i sheh dhe i trajton ato.
“Gjithmonë, edhe si fëmijë, e kam pasë përshtypjen që disa veprime nuk po më rrijnë mirë, prej familjes, mënyrës se qysh janë sillë nana e baba ndaj neve si fëmijë. M’u kanë dokë do role gjinore, po s’e kam ditë me ia lanë emrin atëherë. Sistemi shkollor në Kosovë nuk është që na mëson ndoshta prej fillimit për teorinë feministe ose me u përmend pikë së pari fjala barazi gjinore” – tha ajo.

E fillet e aktivizmit të saj nuk ishin të qeta. Ajo kujton një rast, kur edhe i ishte rrezikuar jeta.
“E kujtoj që babi më ka thonë: A mundesh me qenë personi që as nuk e çel derën, po as nuk e mshel, rri qaty ka mesi, se nëse e çel derën ke me e pas shumë vështirë, sepse je e para që je tu e çel derën. Edhe nëse e mshel, gjithë është dikush që ta jep naj një shkelëm. E kom menu për shkak se po, është njëfarë ‘comfort zone’ kur ti qëndron kështu si në mes, herë fol herë s’fol. Edhe përgjigjja kështu ma ndoshta ma e shpejtë që më ka ardhë në ato momente me i thanë ka qenë: po nuk po na nxen krejtve në mes. Dikush duhet me e çelë derën, dikush duhet me e mshelë, dikush duhet me i pri.”
Adelina studioi gazetarinë në Universitetin e Prishtinës, duke e parë si një formë përmes të cilës mund të tregojë të vërtetën.
“Ditën e diplomimit isha në intervistën e parë të punës….U punësova si hulumtuese në Rrjetin e Grave të Kosovës dhe mbeta për pesë vjet, sepse e bëja me pasion. Ka pasë raste që më kanë kontaktu gra që kam mujt me i ndihmu konkretisht, qoftë për raportim të dhunës apo diskriminim në treg të punës – raste kur janë pyet në intervista nëse janë shtatzëna ose kur janë ngacmu seksualisht” – u shpreh ajo.
Përtej punës si aktiviste, gazetare e hulumtuese, ajo qysh herët ka gjetur një tjetër formë për ta shprehur revoltën dhe përvojën e saj: poezinë ‘slam’. Për të, kjo formë poetike është mjet komunikimi i drejtpërdrejtë, që i jep zë ndjenjës.
“Kur erdha në studime në Prishtinë, vendosa me ftesë të një bashkëaktivisteje me iu bashku kolektivit Marshojmë S’Festojmë, që është kolektiv që e organizon tashmë sa vite marshin tradicional të 8 marsit. Aty e kam shkru ndoshta një poezi kështu ma direkte që i ka përmbledhë përvojat e grave… aty e kam pa që, sidomos kjo formë e poezisë të cilën e bëj unë, që nuk është domosdoshmërisht një poezi klasike, është poezi ‘slam’, është një poezi ma direkte që i fol publikut, më e gjallë, që është e rëndësishme me përçu një mesazh, është poezi kauzale” – tha aktivistja.

“Është qikjo formë e poezisë të cilën unë e bëj, sidomos në rastet kur e kam qitë që të kushton masnej ajo pak edhe me faktin që në një vend të vogël si Kosova krejt e dinë se çfarë jete ke kalu, po për mua është në rregull me e sakrifiku atë pjesën e të qenit private, për shkak se mendoj që nuk është edhe që ka shumë privatësi në një vend të vogël si Kosova” – shtoi ajo.
Ajo zbuloi se ky lloj i poezisë, që nuk ka ende një përkthim të saktë në shqip, përdorej nga komunitete të shtypura, si formë rezistence.
“Nëse unë e qes si përvojë personale, e cila është në këtë rast përvojë personale në një poezi edhe vërshojnë qato komente ose qato mesazhe të çikave të reja të cilat njihen të përfaqësume pa dashtë unë domosdoshmërisht me i përfaqësu ato brenda poezisë, për shkak se një rast të tillë ti as nuk mundesh me e çu në polici, është diçka që duhet me u punu në mentalitet, në mënyrën se qysh jemi rritë në kulturën shqiptare e kosovare, kështu që kur e shoh që i ndikon edhe ato ndihen të përfaqësume, veç për faktin që okej; nuk koka tu më ndodhë veç mu, nuk koka diçka që e kam imagjinu dhe nuk është diçka që veç mu është tu më prekë si grua dhe si çikë e re në Kosovë, qaty e gjej me të vërtetë forcën për me vazhdu me bo poezi të tilla dhe e kam pa që ka ka tepër shumë efekt” – tha ajo.
Pas një angazhimi të pandalshëm në shoqërinë civile, Kosovë, ajo vazhdoi studimet për master në Universitetin e Sienas në Itali, duke u fokusuar në një fushë të veçantë të studimit.
“Vendosa me i bo studimet master në një fushë ku për shkak të punës dhe eksperiencës që e kisha pas, e kam pa që nuk ka shumë za të grave brenda saj e që është fusha e ndërtimit të paqes edhe e menaxhimit të konflikteve” – u shpreh ajo.
Dhe zëri i saj u dëgjua edhe në Itali, ku vlerësohet si një aktiviste që përmes kërkimit, angazhimit politik dhe shprehjes artistike, ajo bashkon botën e avokimit, aktivizmit dhe rrëfimit për të sfiduar shtypjen dhe për të krijuar hapësira dialogu.
Sot, Adelina është kthyer në Kosovë për të vazhduar aktivizmin, aty ku e la para dy vjetësh.
“Vendosa me u kthy në Kosovë edhe me vazhdu qaty ku e kam lanë, me poezi, me punë, t’u mundu me taku gra të moshave të ndryshme, çika, po sidomos edhe përmes këtyre takimeve, edhe përmes poezisë, me vazhdu me bo qet aktivizmin tem që di me e bo” – u shpreh Tërshani.
Adelina ka përfaqësuar Kosovën në mënyrë të denjë në një sërë festivalesh ndërkombëtare, përmes poezive të saj unike të përkthyera me kujdes dhe përkushtim.
“Sidomos gjatë studimeve në në Itali e kam pasë pak ma kështu sfiduese ka qenë koha në të cilën unë isha tu e mësu gjuhën italiane, isha tu studiu në anglisht e knej dojsha me vazhdu me shkru shqip se aty ka qenë sfida më e madhe, po masnej kam tentu që mos me e limitu veten edhe nëse më vjen me qit ni fjalë anglisht midis poezisë shqip, nëse më vjen me qit një fjalë italisht, ajo prapëseprapë më përfaqëson mu” – tha ajo.
“Më ka shërby shumë, sidomos në festivalet në të cilat kam marrë pjesë në rajon, po edhe nëpër krejt Evropën. E kujtoj në Festivalin e Literaturës në Berlin, reagimin që e kanë pas për një poezi e cila ka qenë në fakt origjinale e shkrume në shqip, po masnej jam mundu me e përkthy, se kur e përkthen vetë, masnej nuk e len edhe shumë sende me u humb në përkthim… edhe qaty masnej më ka bo mirë me u ni fakti që po mundem përmes poezisë me e përfaqësu në një audiencë që në këtë rast ka qenë veç internacionale, edhe Kosovën si një vend të vogël” – shtoi tutje.

Këtë vit, në eventin kur u shpall “Heroinë e Harmonisë” për ndërtim paqeje nga RYCO dhe Ambasada e Gjermanisë, Adelina premtoi se do të jetë zëri në megafon për ato vajza e gra që s’e kanë ende – e rrugës me iu ndihmu që me e gjetë ato megafonin e vet!/Katror.info
Edicionin #90 të plotë e gjeni KËTU😊

















