Hudhra është një përbërës i shëndetshëm dhe i domosdoshëm për shumë receta, por ruajtja e saj e duhur është thelbësore nëse dëshironi ta përdorni për një kohë të gjatë. Ekspertët rekomandojnë që hudhra të ruhet gjithmonë në temperaturë ambienti, në një vend të thatë dhe të errët, për të shmangur tharjen ose mbirjen e saj, shkruan TAR.
Thelpinjtë e hudhrës së plotë dhe të paqëruar mund të zgjasin deri në gjashtë muaj nëse ruhen siç duhet. Për sasi të mëdha, zgjidhja ideale është një kuti e madhe kartoni e veshur me gazetë, e cila duhet të mbyllet mirë dhe të vendoset në bodrum, garazh ose në një hapësirë të thatë.
Ndërkohë, për përdorim të përditshëm, disa thelpinj mund të ruhen në një kuti vezësh. Kjo metodë lejon qarkullimin e ajrit dhe ndihmon në parandalimin e mykut, duke e mbajtur hudhrën të freskët për më gjatë.
Duhet të shmangni ruajtjen e hudhrës në frigorifer për periudha të gjata, pasi lagështia dhe të ftohtit e bëjnë atë të mbijë dhe të marrë shije të hidhur. Ndërsa thelpinjtë e qëruar të hudhrës në frigorifer duhet të konsumohen brenda një jave. /Katror.info