Gjatë muajve të verës, rreziku nga zjarret në pyje, fusha dhe zona të hapura rritet ndjeshëm, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndotje të ajrit, shkatërrim të natyrës dhe duke rrezikuar seriozisht jetën dhe sigurinë e qytetarëve, shkruan Katror.info
Autoritetet po rikujtojnë se zjarrvëniet e qëllimshme apo nga pakujdesia përbëjnë vepra penale dhe sanksionohen me ligj. Çdo person që shkakton zjarr, qoftë në mënyrë të qëllimshme apo të pavetëdijshme, rrezikon të përballet me ndjekje penale dhe masa ndëshkuese, veçanërisht kur zjarri dëmton pronën publike, private apo rrezikon jetën dhe mjedisin.
Qytetarët inkurajohen që, në rast të vërejtjes së zjarreve apo edhe dyshimeve për zjarrvënie të qëllimshme, të lajmërojnë menjëherë shërbimet emergjente përmes këtyre numrave falas, të hapur 24/7:
Agjencia e Menaxhimit Emergjent – 112
Shërbimi Zjarrfikës – 193
Policia e Kosovës – 192
Autoritetet nënvizojnë se parandalimi i zjarreve është përgjegjësi e secilit. Një reagim i shpejtë dhe i përgjegjshëm mund të parandalojë katastrofa më të mëdha, të shpëtojë jetë dhe të ruajë natyrën./Katror.info