Granit Musliu, tashmë një tenor i dëshmuar në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike, ishte vetëm 8 vjeç kur filloi të lidhej ngushtë me muzikën, duke mos iu ndarë kurrë më. Nga një vend i vogël si Kosova, Musliu arriti të jetësojë artin e tij në disa nga skenat më prestigjioze në Evropë.
Ndër sukseset e tij është edhe pranimi i tij në Shtëpinë Operistike të Bayern-it, ku pas një audicioni të mbajtur në fillim të 2021-tës Musliu arriti të pranohej prej gjithsej 800 aplikantëve nga e gjithë bota.
Një tjetër lajm të mirë së fundmi Graniti e ndau me publikun, ku i është bashkuar ansamblit Bayerische Staatsoper për sezonin 2023/24.
“I emocionuar të ju njoftoj se po i bashkohem ansamblit të Bayerische Staatsoper për sezonin 2023/24. I kënaqur që jam pjesë e një shtëpie kaq të mrekullueshme dhe shumë mirënjohëse për mbështetjen që shtëpia më ka dhënë!
Gjatë sezonit do të jem në prodhime të shumta të shkëlqyera të operës, të cilat përfshijnë role si Rinuccio/ Gianni Schicchi, Dancairo/ Carmen, Arturo/ Lucia di Lammermoor, Flavio/ Norma, Ruiz/ Il Trovatore dhe shumë të tjera!”, njoftoi Graniti.
Orkestra Shtetërore bavareze apo siç njihet në gjermanisht “Bayerisches Staatsorchester”, është orkestra e Operës Shtetërore të Bavarisë në Mynih, Gjermani. Ajo ka dhënë serinë e saj të koncerteve, Akademiekonzerte, që nga viti 1811./Katror.info