Franco Foda është trajneri i ri i Kosovës në futboll. Ai është prezantuar të shtunën nga Federata e Futbollit të Kosovës. Ai është shprehur i lumtur me nënshshkrimin e kontratës me Dardanët.
Foda e nisi aventurën te Kosova në shqip “Mirëdita”, njofton Klankosova.tv. Ai vazhdoi më pas duke thënë se është një ditë speciale për të.
“Falemindeit, është një ditë speciale për të gjithë qytetarët në Kosovë, edhe për mua është një ditë speciale, jam i kënaqur që jam këtu. Jam duke shikuar përpara, për sfidën që më pret”, u shpreh Foda në konferencë.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se Foda ka nënshkruar kontratë dyvjeçare. Ademi tutje ka shtuar se nga trajneri gjerman pret rezultate të rëndësishme. Ka theksuar se ai do t’i ketë duart e lira për të vendosur.
Trajneri i ri i Kosovës, Franco Foda ka thënë që do të jetojë në Prishtinë për sa kohë të jetë trajner i Dardanëve.
Foda, deklaroi kështu meqë sipas tij, ka lojtarë të Kosovës edhe nga Superliga, transmeton Klankosova.tv.
“Do të jetoj në Prishtinë, se ka lojtarë që luajnë edhe në Superligën e Kosovës, Dellova nga Ballkani dhe Ilir Krasniqi nga Llapi, ka me qenë jashtë për të përcjell lojtarët e tjerë, por kryesisht në Prishtinë”, ka deklaruar Foda.
“Urime për trajnerin e ri. Uroj që siç është përputhur programi i tij me projektin tonë, të ketë edhe rezultate. Foda është trajneri i rezultateve. Ne këtë pjesë, duam rezultate sepse e kemi bërë zhvillimin tonë. Shpresojmë që Foda të jetë trajneri që do të ngelë në historinë e Kosovës, për ta kualifikuar në garat evropiane. Foda ka qenë në Kosovë para dy javësh. I ka parë kushtet dhe ka vendosur. Ka kontratë dyvjeçare. Në këto dy vjet, në këto garat e radhës, do të realizojmë programin e tij dhe kërkesat tona. Në futboll s’ka asgjë të sigurt, por ne po përpiqemi ta bëjmë punën sa më të mirë. Foda i ka duart e lira për të vendour, po vjen me ekipin e tij, nuk do të ketë asnjë ndërhyrje, por do ta ketë mbështetjen e Federatës”, ka thënë Ademi.
Foda do të vijë te Kosova bashkë me katër asistentë. Vetëm trajneri i portierëve nuk ka ndryshuar. Ademi ka thënë se do të përpiqen që në stafin e tij ta fusin edhe një asistent nga Kosova.
Foda është shprehur optimist se do të ketë sukses me Kosovën./Katror.info