“T’ia lexosh një njeriut të privuar nga shikimi një libër, është sikur t’ia japësh një sy për të parë”, thotë Bajramshahe Jetullahu, kryetare e Komitetit të Grave të Verbëra të Kosovës (KGVK).
Pikërisht këtë, po e bën një grup vullnetarësh që kanë nisur leximin e librave me zë për studentët e Fakultetit Juridik në Kosovë. Janë gjithsej 40 libra që duhen lexuar, por për momentin kanë nisur me 5 sosh.
Aktorja Anisa Ismaili, që e do dhe e promovon punën vullnetare, ishte njëra ndër vullnetaret që vendosi të bëhet “sytë e tyre” duke u lajmëruar menjëherë. Ajo është duke lexuar librin “E Drejta Romake”, siç e përshkruan ajo një libër mjaft i vështirë për t’u lexuar për shkak të terminologjisë në latinisht. Ajo po ia del mirë me më shumë se 100 faqe të lexuara deri tash.
“Ditën që kam nisë leximin e kam bërë një postim në Facebook që unë po e bëj këtë punë vullnetare për të stimuluar dhe të tjerët dhe shumë njerëz më kanë shkruar duke më pyetur se a mund ta bëjnë edhe ata punën si timen. Prandaj nëse lajmërohen televizonet ose radiot tjera (për t’u përfshirë në këtë projekt) ka njerëz që duan të lexojnë dhe ka libra që duhen të lexohen prej dikujt”, thotë Ismaili.

Ajo thekson se puna vullnetare e vë në pah humanitetin dhe se “të gjithë duhet të bëjmë aq sa kemi mundësi për të tjerët”.
Ndërkaq kryetarja e KVGK-së, zonja Jetullahu thotë se kjo iniciativë i erdhi pasi që vetë është e verbër dhe dëshirë të flaktë e ka pasur që ta ndjekë fakultetin. Kjo iu pamundësua për shkak të mungesës së literaturës. Prandaj, ajo vendosi që të nisë diçka në të mirë të njerëzve të verbër pa dallim gjinie.
“Ju qiteni dorën në zemër për veti kur e keni një dëshirë a doni që t’iu realizohet apo të ju mbetet aty ku starton. Literaturë në alfabetin e Braile nuk ka pasë as nuk ka. Me bo një incizim shembull me këta telefonat e mençur, ku mundet studenti me incizu në një sallë ku janë qindra studentë apo edhe dhjetëra me qenë, nuk i kanë të gjithë problemet e njëjta, dikush e bën ndonjë koment edhe incizimet e studentëve të verbër shkojnë huq”, thotë ajo.
Sipas saj, kjo iniciativë është pritur shumë mirë nga kjo kategori e studentëve që e cilësojnë si një ndihmesë domethënëse për ta sepse iu ofron mundësi për ta fituar bukën e gojës dhe të pavarësohen më shumë.
Korab Mehmetaj, menaxher i KGVK-së, ishte ai që e bëri thirrjen për vullnetarë përmes rrjeteve sociale. Ai u habit për të mirë nga përgjigjja e menjëhershme dhe pozitive e vullnetarëve.
“Ne këto libra kemi me i postu në uebfaqen e KVGK-së dhe do të bëhet si librari online. Mirëpo, për studentët që për çfarëdo arsye nuk mund të kenë qasje do të mundohemi të gjejmë edhe forma të tjera si p.sh t’ua vendosim në USB”, thotë Mehmetaj.
Sipas tij, puna vullnetare ka forcën që të udhëheqë ndryshime të nevojshme në shoqëri.
Si nismë të qëlluar nga aspekti human dhe funksionale kah aspekti pedagogjik e sheh edhe Besfort Rrecaj profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Sipas tij, iniciativat e tilla duhet të gjejnë edhe përkrahje shtetërore sepse gjithnjë e më shumë shkalla e zhvillimit demokratik të një shteti matet me atë se sa një shoqëri i ofron mbështetje pikërisht personave të cilët kanë nevojë më së shumti duke e lehtësuar pozitën e tyre.
“Shteti dhe shoqëria në përgjithësi ka obligime të ashtuquajtura pozitive dhe duhet të dizajnojë politika specifike të cilat i mbështet me legjislacion specifik dhe përfshihen institucione specifike, në tejkalimin e një pabarazie që ka ardhur si rezultat i shkaqeve natyrore se rrethanave të tjera, jashtë vullnetit të individëve”, thotë ai.
Ai thotë se ka pasur rast të punojë me një ose dy studentë të verbër, të cilët kanë qenë të ndihmuar nga persona të caktuara në leximin e librave, por kanë arritur rezultate të kënaqshme.
“Ajo çka kam vërejtur dhe çka kemi konstatuar është se ata persona kanë qenë jashtëzakonisht të vullnetshëm, kanë pasur qasje jashtëzakonisht pozitive, e kanë parë jetën dhe zhvillimet në mënyrë jashtëzakonisht pozitive dhe rrjedhimisht kanë shënuar rezultate të larta në fakultetin tonë, konkretisht në lëndët e mia të cilat i kanë pasur ata studentë”, thotë ai.
Edhe kah aspekti pedagogjik vlerëson se kjo është mënyra më e mirë e mundshme për t’i ndihmuar studentët e verbër për tejkalimin e situatave dhe rrethanave aktuale.
Nisma për audiolibrat kishte filluar në vitin 2022, kur ishin lexuar disa libra për studentët e psikologjisë. Njëherësh, po ai vit ishte shpallur viti i personave me aftësi të kufizuara në Kosovë./Katror.info
Edicionin #1 të plotë e gjeni KËTU 🙂

Kliko këtu dhe bonja Follow/pëlqeje Katror.info për me pa veç Lajme të Mira!
Përgatiti:
