Një hulumtim i fundit ka zbuluar se ecja e rregullt mund të ketë ndikim pozitiv në shëndetin mendor, veçanërisht tek të moshuarit që mbartin faktorë gjenetikë të rrezikut për sëmundjen e Alzheimerit.
Studiuesit analizuan të dhënat e rreth 3,000 të rriturve të moshës 70 deri në 79 vjeç përgjatë një periudhe 10-vjeçare.
Pjesëmarrësit raportuan zakonet e tyre të aktivitetit fizik, dhe rezultatet treguan se ata që vazhdimisht ecnin, ose që shtuan kohën e ecjes me kalimin e viteve, ruajtën funksione më të mira njohëse, sidomos në përpunimin e informacionit dhe aftësitë ekzekutive të trurit, shkruan CNN, përcjell Katror.info.
Këto efekte pozitive ishin edhe më të dukshme tek ata që kishin variantin gjenetik APOE4, i cili lidhet me rrezik më të lartë për Alzheimer. Studimi u prezantua në Konferencën Ndërkombëtare të Shoqatës për Alzheimerin, megjithëse ende nuk është rishikuar zyrtarisht për botim shkencor.
Lidhja trup-mendje
Sipas bashkautores së studimit, Dr. Cindy Barha nga Universiteti i Calgary në Kanada, ecja mund të ndihmojë në balancimin e efekteve të plakjes. Ajo rekomandon ndërprerje të shpeshta të kohës së qëndrimit ulur me periudha të shkurtra ecjeje gjatë ditës – një strategji e thjeshtë që mund të ketë ndikim afatgjatë.
“Ende nuk kemi një numër të saktë hapash për të gjitha grupmoshat ose gjinitë, por ideja është e qartë: sa më shumë të ecësh, aq më mirë”, ka thënë Barha.
Përfitimet biologjike të ecjes
Shkencëtarët theksojnë disa mekanizma përmes të cilëve ecja mund të ndikojë në shëndetin e trurit. Aktiviteti fizik nxit prodhimin e BDNF (faktori neurotrofik i trurit) – një proteinë që ndihmon në krijimin e qelizave të reja nervore dhe përmirëson lidhjet midis tyre.
Gjithashtu, ecja mund të ulë inflamacionin në tru, i cili është një ndër faktorët kryesorë në zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit. Kur inflamacioni rritet, qelizat imune të trurit (mikroglia) mund të fillojnë të sulmojnë indin e shëndetshëm nervor.
Dr. Christiane Wrann nga Harvard Medical School tha për CNN se aktiviteti fizik i rregullt “aktivizon mënyrën natyrore të trurit për vetëmbrojtje”.
Përfitime më të mëdha për ata më të rrezikuar
Çuditërisht, ata që bartnin variantin e rrezikshëm APOE4 kishin përmirësimet më të mëdha nga aktiviteti fizik. Sipas Barhës, kjo mund të ndodhë sepse ata kishin më shumë hapësirë për progres, ose sepse ishin në faza të hershme të rënies kognitive.
Pjesëmarrja në vetvete mund të ketë ndikuar në sjelljen e tyre, duke i motivuar të jenë më aktivë.
Dr. Wrann përfundon: “Ky studim nënvizon rëndësinë e të bërit diçka – qoftë edhe një shëtitje e shkurtër çdo ditë. Nuk është kurrë vonë për të filluar.”/Katror.info