Futbollisti shqiptar Granit Xhaka tashmë ka finalizuar transferimin te Bayer Leverkuseni, e që tash zyrtarizimi është vetëm çështje kohe.
Transformimin Xhakës e ka konfirmuar gazetari i njohur, Fabrizio Romano.
Arsenali do të përfitojë nga shitja e Xhakës 25 milionë euro, që është shifër dukshëm më e lartë se ajo prej 15 milionë eurove që ishte përmendur në fillim të negociatave.
Xhaka e ka kompletuar edicionin më të mirë te Arsenali, por megjithatë pritet të lëvizë për në Gjermani. Ai tek Arsenali ka luajtur prej vitit 2016, kur ishte transferuar nga Borussia Moenchengladbach.
Në edicionin e fundit në Premier League, Xhaka i kishte shtatë gola e shtatë asistime në 37 paraqitje. Gjithsej në kampionatin anglez i ka luajtur 225 ndeshje, ndërsa ka shënuar 17 gola dhe ka bërë 24 asistime.
Largimi i Xhakës përflitej ende pa përfunduar edicioni në Premier League. Tek Arsenali po punojnë për angazhimin e Declan Rice, që vlerësohet se do ta zëvendësojë Xhakën. Romeo Lavia dhe Moises Caicedo janë emra tjerë të mesfushës që po i përcjell klubi londinez.
Nëse zytarizohet këtë javë, Xhaka mund të debutojë me Leverkusenin në ndeshjen miqësore ndaj Paderbornit, më 21 korrik.
Bayer Leverkuseni ka përfunduar i gjashti në Bundesligë në edicionin e kaluar. Për trajner e ka spanjollin Xabi Alonso. /Katror.info
Përgatiti:
