Qëllim i qartë e rrugë goxha e gjatë. Një synim për ta bërë jetën më të mirë brenda vendit tonë. Krijimi një fondacioni që do t’i dalë në ndihmë një numri të madh fëmijësh e të rriturve.
Krenar Batusha, pjesë e kompanisë kosovare Pro Real Estate, në një intervistë për Katror Media, shpjegon se si ai dhe familja e tij, që drejtojnë këtë kompani, ndërmorën nismën për themelimin e Fondacionit “Rrethi i Besimit” apo Trust Circle Fond. Ideja është që të mbështeten fëmijët pa kujdes prindëror, ata me nevoja të veçanta si dhe personat që mund te kenë abuzuar me substanca narkotike apo alkool.
“Këtë projekt kemi shku t’u e diskutu t’u e diskutu deri sa kemi ardhë në final për me e bo këtë Trust Circle Fond, i cili e ka emrin ” Rrethi i besimit”, ku i ndihmon njëri-tjetrit për me e pasë një shoqëri më të mirë. Në këtë nismë kanë pranu krejt kompania me qenë pjesë e saj, që na ka bo shumë të lumtur edhe tash veç kemi fillu me e kriju fondin, jemi në hapat e parë të tij ku jemi t’u dashtë me promovu sa më shumë,” tha Batusha.
Fondi fillimisht financohet nga mbështetja individuale e punëdhënësve, por edhe punëtorëve të kompanisë, të cilët çdo muaj ndajnë një përqindje nga pagat e tyre. Qëllimi është që Fondi të rritet dhe të mos ketë në fokus vetëm ndihma të përkohshme për këto kategori.
“Krejt plani i fundit që po ta tregoj është që ne të ardhmen, me hapa gradualë, është për me hap një shkollë, e cila jep edukim për fëmijë edhe i mëson fëmijët, si dhe i motivon për me pasë vetëbesim edhe për me mësu gjëra të reja, gjëra që i nxisin me u bo kreativ dhe i nxisin me u bo ma të mirë në jetë.”
Nëse planet shkojnë si duhet, “Rrethi i besimit” pritet t’i bëjë të lumtur shumë kategori të njerëzve.
“Pra fillimisht janë këto tri pika: Fëmijët pa kujdes prindëror, sepse na mendojmë që fëmijët janë vlera ma e madhe në këtë botë edhe janë më të pafajshmit në këtë botë edhe duhet me u trajtu në kohën e duhur edhe në momentin e duhur, e sidomos kur ka abuzime, dhunë psiqike e të tjera. Në vendin tonë nuk ka ende zhvillim, me pasë mbështetje të mjaftushme për ta, kështu që na jemi duke bashkëpunuar me një organizatë OFAP-in për momentin edhe jemi duke u këshilluar me “Change culture” në Zvicër që e bën të njejtën punë si OFAP-i, për me marrë sa më shumë ide të mira se qysh mundemi me iu ndihmu fëmijëve për atë pjesë.
“E dyta është për fëmijët me nevoja të veçanta sepse mendojmë që ata janë për një arsye në këtë botë edhe janë të veçantë edhe na duhet me i suportu edhe me iu ndejtë afër tyre. Edhe e treta është pjesa e individëve që abuzojnë me lëndë narkotike apo alkool. Sepse kemi pa që në vendin tonë nuk i kuptojnë shumë, nuk kanë empati, paragjykojnë, po na e dimë saktë se kemi pasur raste të njerëzve afër që kanë përjetuar atë dhimbje. Është dhimbje e madhe që e përjeton ai individ edhe familja edhe të tjerët nuk e kuptojmë,” thotë ai.
Për kategorinë e fundit, Batusha thotë se kanë vendosur që në të ardhmen t’i ofrojnë aftësim ose punësim në mënyrë që të dalin nga rrethi vicioz.
Duke u fokusuar tek kategoria më e cenueshme e shoqërisë, kjo nismë demonstron një ndjenjë të thellë dhembshurie dhe përgjegjësie sociale. Por, është e qartë se kjo ide nuk mund të jetësohet pa ndihmën e komunitetit.
Ndërsa stafin e kësaj kompanie nuk e bashkon më vetëm puna, por edhe humanizmi i shprehur në vepra për t’i bërë këto kategori të fëmijëve të lumtur.
“Në fakt veç ideja është propozu neve na ka pëlqy shumë, në përgjithësi si staf jo vetëm mua personalisht, se është një ide që iu ndihmon shumë njerëzve dhe që na mundemi me kontribu diçka. Unë jam shumë e lumtur. Përndryshe d.m.th. është edhe një fenomen i rrallë që ka ndodhë te ne, që jo çdo do të mund ta bën të, kështu që unë jam shumë pro këtij bashkëpunimi. Pa marrë parasysh se çfarë çmimi ish dashtë me dhënë ose çka do që ish dashtë me dhënë mendojë që prapë kisha me qenë shumë e lumtur që mundem me kontribu në këtë fondacion, “ thotë Rinora Selimaj, punëtore në Pro Real Estate.
Pikësynimi më i madh i këtij fondi janë fëmijët. Prandaj, Pro Real Estate ka nisur bashkëpunimin me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP. Kjo organizatë ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror në Kosovë ndërsa si misioni i saj është që çdo fëmije të braktisur dhe pa kujdes prindëror t’i ofrohet një familje e përkohshme që të jetojë, të rritet dhe të ndjehet pjesë e saj e të ketë dashurinë që i nevojitet.
Ibadete Krasniqi, drejtoreshë e OFAP thotë për Katror Media tregon se sa fëmijë gjenden aktualisht në familje strehuese.
“Për momentin me fëmijë janë rreth 28 familje strehuese, të cilat kujdesen 24 orë në 7 për këta fëmijë dhe organizata e ka për qëllim që çdo fëmijë duhet të rritet në ambient familjar duke u bazu në ligjet në fuqi, duke u bazu në konventën e drejtave të fëmijëve, që çdo fëmijë duhet të rritet në familjen e tij biologjike. Por, në mungesë të familjes biologjike atëherë, kjo periudhë e përkohshme e fëmijës duhet të jetë në një ambient tjetër familjar, dhe ne i falenderojmë të gjitha këto familje strehuese, humanitare, vullnetare të cilat me vullnet dhe dëshirë i hapin dyert e tyre që t’i mirëpresin këta fëmijë në nevojë,” thotë Krasniqi.
E për këtë verë, është menduar që të bëhet diçka më tepër për këta fëmijë.
“Unë e falënderoj shumë Pro Real Estate, e cila që disa vite i mbështet aktivitetet e fund vitit për organizatën OFAP, për të gjithë këta fëmijë të cilët janë të vendosur në strehim familjar. Në bashkëpunim me Pro Real Estate, ne kemi arritur një marrëveshje, tani në fund të muajit gusht do ta kemi një kamp veror, ku do t’i dërgojmë fëmijët në një pushim, do të thotë 2 netë 3 ditë, bashkë me familjet strehuese dhe fëmijët që janë në strehim familjar, që ta prekin ujin e detit, sepse ka fëmijë që kurrë asnjëherë s’kanë shkuar në det.”
Ndikimi i kësaj nisme pritet të shtrihet përtej përfituesve të menjëhershëm, pasi nxit një kulturë ndjeshmërie, mirëdashjeje dhe solidariteti, duke frymëzuar të tjerët që të kontribuojnë në mirëqenien e bashkëqytetarëve të tyre.
Përkushtimi i Pro Real Estate për këtë kauzë jo vetëm që trajton sfidat kritike shoqërore, por gjithashtu tregon fuqinë transformuese të bizneseve që angazhohen në mënyrë aktive për grupet e margjinalizuara dhe komunitetin lokal. /Katror.info
Edicionin #16 të plotë e gjeni KËTU 🙂
Kliko këtu dhe bonja Follow/pëlqeje Katror.info për me pa veç Lajme të Mira 🙂