Në Kosovë, aktualisht, nuk ka asnjë rast të fruthit, edhe pse numri i rasteve në vende të tjera të Evropës ka qenë në rritje, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) thonë se “nuk pritet të ketë ndonjë shpërthim të sëmundjes”, pasi shkalla e vaksinimit të fëmijëve kundër saj “është e lartë”.
“Kosova duhet të vazhdojë ta zbatojë suksesshëm Programin e Zgjeruar të Imunizimit, duke i vaksinuar fëmijët sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit sikurse deri më tani”, thanë nga IKSHPK-ja për Radion Evropa e Lirë.
Fruthi është një infeksion i shkaktuar nga një virus dhe, sipas OBSH-së, është një prej sëmundjeve më ngjitëse.
Ai shfaqet me skuqje në lëkurë – fillimisht me njolla në fytyrë dhe pas veshëve, që më pas përhapen në gjoks dhe shpinë dhe në fund në këmbë.
Simptomat tjera që e shoqërojnë fruthin, përfshijnë: temperaturë, koll të thatë, rrjedhje nga hunda, dhimbje të fytit e të tjera. Infeksioni ndodh në faza, nga dy deri në tri javë.
Fruthi mund të parandalohet me vaksinim, por, në raste të caktuara, mund të jetë edhe sëmundje serioze ose fatale. /Katror.info