Çdo mëngjes, kemi dy zgjedhje: të shtypim butonin e alarmit dhe të fillojmë ditën pa drejtim, ose të marrim kontrollin dhe të përgatitemi për sukses.
Rutinat e mëngjesit nuk janë thjesht një trend, ato kanë fuqinë të ndryshojnë mënyrën se si funksionojmë gjatë gjithë ditës.
Shumë njerëz të suksesshëm si Elon Musk, Oprah Winfrey dhe Tim Ferriss i praktikojnë ato për të ruajtur fokusin dhe energjinë, shkruan Medium, transmeton Katror.info.
Një nga zakonet më të mira për një mëngjes produktiv është zgjimi i hershëm
Orët e para të ditës janë ideale për të punuar pa shpërqendrime dhe për të vendosur ritmin e duhur.
Një mënyrë e thjeshtë për ta zbatuar këtë është të vendosni alarmin 30 minuta më herët se zakonisht, të shmangni butonin “snooze” dhe të përdorni kohën shtesë për planifikim ose reflektim.
Pas zgjimit, hidratimi dhe ushqimi janë thelbësorë
Trupi është i dehidratuar pas një nate pa ujë, ndaj një gotë ujë në mëngjes, mundësisht me limon, ndihmon në rigjallërimin e metabolizmit.
Një mëngjes i pasur me proteina dhe fibra, si vezët me avokado ose një smoothie i shëndetshëm, mund të ndikojë në stabilizimin e niveleve të energjisë dhe përmirësimin e përqendrimit.
Lëvizja është një tjetër element kyç për një mëngjes të suksesshëm
Aktiviteti fizik në mëngjes rrit nivelin e endorfinave, përmirëson humorin dhe ndihmon në përqendrim. Oprah Winfrey praktikon ushtrime të lehta për 20 minuta çdo mëngjes, qoftë një shëtitje, joga apo ushtrime të forcës. Edhe pesë minuta lëvizje mund të kenë një ndikim pozitiv, dhe nëse vendosni rrobat e stërvitjes pranë shtratit që në mbrëmje, do të eliminoni justifikimet për ta anashkaluar këtë zakon.
Përveç aktivitetit fizik, edhe qetësia mendore është thelbësore për të nisur ditën me një mendje të qartë. Praktika si meditimi apo mbajtja e një ditari ndihmojnë në menaxhimin e stresit dhe përmirësojnë përqendrimin.

Arianna Huffington, themeluesja e The Huffington Post, e nis çdo ditë me meditim për të qëndruar e qetë dhe për të shmangur lodhjen mendore.
Një mënyrë për ta zbatuar këtë është të meditoni për pesë deri në dhjetë minuta ose të shkruani tri gjëra për të cilat jeni mirënjohës. Është e rëndësishme të shmangni kontrollimin e telefonit menjëherë pas zgjimit, pasi kjo mund t’ju fusë në një gjendje reaktive që ndikon negativisht në produktivitetin tuaj.
Një mëngjes produktiv nuk është i plotë pa një plan të qartë për ditën
Richard Branson, themeluesi i Virgin Group, përdor një listë detyrash për të menaxhuar angazhimet e tij dhe për të ruajtur fokusin tek gjërat më të rëndësishme.
Shkrimi i tri deri në pesë prioriteteve kryesore të ditës ju ndihmon të shmangni mbingarkesën dhe të përqendroheni në detyrat me ndikim më të madh.
Fillimi me detyrën më të vështirë në mëngjes, kur niveli i energjisë është më i lartë, ju ndihmon të ndiheni më të motivuar dhe të shmangni zvarritjen.
Një rutinë e qëndrueshme e mëngjesit redukton lodhjen mendore, rrit energjinë dhe përqendrimin, dhe ju ndihmon të filloni ditën me një qëllim të qartë. /Katror.info
Përgatiti:
