Prishtina po bëhet gati të mirëpresë njërën nga ngjarjet më të mëdha të sporteve elektronike në kontinent – Kampionatin Evropian të Esports 2025, i cili do të mbahet nga 9 deri më 13 korrik në sallën “1 Tetori”. Palestra tashmë është përgatitur për atmosferën që pritet të dominojë qytetin gjatë kësaj ngjarjeje, e cila për herë të parë mbahet në Kosovë, shkruan Katror.info.
“Palestra ‘1 Tetori’ gati për atmosferën që na pret për Kampionatin Evropian të Esports, Kosova 2025”, ka shkruar zëvendësministrja në detyrë, Daulina Osmani, duke nënvizuar rëndësinë e këtij eventi për vendin.
Ngjarja do të mbledhë mbi 250 garues nga 45 shtete evropiane, të cilët do të masin forcat në dy prej lojërave më të mëdha kompetitive në botë: Counter-Strike 2 (CS2) dhe Dota 2.
Kosova, si nikoqire e këtij kampionati prestigjioz, do të përfaqësohet me një ekip të përzgjedhur me kujdes nga Federata Esports Kosova, ku spikasin emra të njohur ndërkombëtarisht. Katër nga pesë anëtarët e ekipit të CS2 vijnë nga ish-skuadra legjendare Bad News Eagles, që ka lënë gjurmë në skenën globale me paraqitjet e tyre në turnetë më të mëdhenj botërorë. Ekipit i është bashkuar edhe një talent premtues nga NAVI Jr., akademia zyrtare e një prej organizatave më të njohura të Esports në botë./Katror.info