Brenda 1 muaji nga funksionalizimi i Qendrës për trajtimin e qenve endacakë, zyrtarët thonë se janë trajtuar mbi 200 të tillë. Të gjithë këta janë dhënë për adoptim, deklaron drejtori për Shërbime Publike, Bekim Brestovci, raporton koha.
“Kemi mbërritur të kalojmë numrin 200 për kapjen, kastrimin, sterilizimin dhe vaksinimin e tyre dhe me funksionalizimin e qendrës do ta rrisim numrin e kapjes së qenve nga 50 në 100 brenda javës dhe kjo qendër do të shërbejë si pikë transferi. Jemi me një dinamikë të mirë, pasi synojmë që deri në muajin mars t’i heqim nga rruga deri në 1500 qen endacakë”, ka thënë Brestovci.

Sipas tij, nga sheshi, do të kalojnë edhe nëpër pjesë të tjera të qytetit për trajtimin e qenve endacakë.
“Jemi në punime për ta funksionlaizuar edhe strehimoren për mbajtjen e qenve endacakë. Po punohet me një intensitet të madh që të funksionalizohet edhe kjo pjesë. Qendra e veterinarisë është çdo ditë në aksion në kapje të qenve. Kemi një intensitet prej 50 qensh në javë, pasi po i përshtatemi listës së kërkesave për adoptim. Po i kapim qentë, kemi filluar ta pastrojmë sheshin, pastaj do zgjerohemi nga kampusi universitar për të kaluar edhe në lagjet qendrore e pastaj edhe në lagjet periferike”, ka deklaruar drejtori.
Sa i përket adoptimit, Brestovci thotë se ata janë duke i mbikëqyrur adoptuesit dhe nuk do të lejohet keqtrajtimi i qenve.
“Janë edhe 5-6 qen që po qëndrojnë për mbikëqyrje veterinare. Kemi edhe adoptues individualë, por më shumë ka adoptues nga 10 qen e më shumë. Tani është mirë e menaxhuar, kemi dy komisione të veçanta dhe ata bëjnë kontrolle rutinore dhe duhet të respektohen të gjitha kushtet. Nëse kemi ndonjë rast që nuk ka përmbushje të kontratës siç duhet, ne do ta prishim kontratën”.
Në anë tjetër, kryetari i Prishtinës Përparim Rama përmes një njoftimi në rrjetet sociale ka thënë se numri i personave që kërkojnë adoptimin e qenve endacakë është në rritje. “Për disa muaj do të largojmë nga rruga përmes trajtimit, strehimit dhe dhënies për adoptim mbi 1500 qen,” ka thënë ai.
Përkundër këtij fakti, një numër qytetarësh janë sulmuar nga qentë endacakë vetëm gjatë kësaj jave, duke përfshirë edhe fëmijë.