“Ka nisur si hobi dhe tani më është bërë profesion, e dikur stil jete. Kam nisur kur nuk ka pasur as trepikësh, as semaforë, as kosh me faul. Kam vazhduar në ligat e një shteti që sot as nuk ekziston, dhe në ligat e një shteti që po e themelonim vetë, pa ditur kur ajo ëndërr do të realizohej. Kam luajtur në beton, në sallat e sporteve, në palestrat e shkollave fillore, kam transmetuar Ligën e Kosovës nga sallat e ftohta me telefon statik për radio. Kam transmetuar NBA-n dhe Lojërat Olimpike” – rrëfen Blerim Vuniqi, ish-basketbollist dhe gazetar sportiv me përvojë të gjatë në Kosovë.
Vitin e kaluar u shënua 70-vjetori i ndeshjes së parë ndërkombëtare të basketbollit. Dokumentari “Katër Çerekët” sjell këtë tregim dhe shumë histori të tjera të sportit.
Në tetor të vitit 1954, në Prishtinë u zhvillua ndeshja e parë ndërkombëtare e basketbollit. Kampioni i Turqisë, “Moda Sport”, në kuadër të një turneu nëpër Jugosllavi, ndalet edhe në kryeqytetin e Kosovës.
Në artikullin e Gani Hoxhës kjo ndeshje është dokumentuar shkëlqyeshëm.
Skuadra turke kishte në përbërje tre reprezentues të kombëtares: Tankut, Sajxhipi dhe Jallxhin.
Formacioni i Kosovës së Prishtinës ishte: Zoran Llaziq, Pani Zhiviq, Vitkoviq, Nikoliq, Mehmet Dobërçani, Mustafa Shaini, Arsim Femiu, Gjoko Ristiq, Rexhep Parteshi dhe Vuç Koviq.
Raporti i ndeshjes tregon se kampioni i Turqisë e nisi takimin me epërsi të thellë, duke shënuar 16 pikë radhazi.
Në pjesën e dytë, prishtinasit u rikthyen në lojë dhe e ngushtuan rezultatin në vetëm 2 pikë dallim.
Megjithatë, kjo nuk mjaftoi për ta përmbysur rezultatin dhe ekipi nga Stambolli e fitoi ndeshjen me 6 pikë diferencë.
Ky rrëfim vjen në kuadër të dokumentarit “4 Çerekët – Episodi 1”, i cili sjell për herë të parë historinë e basketbollit kosovar. Dokumentari, me autor dhe producent Leart Hoxha dhe intervista të realizuara nga Blerim Vuniqi, është prodhim i Katror Media dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“4 Çerekët” është i strukturuar në katër episode, një ndarje simbolike që pasqyron formatin e një ndeshjeje basketbolli, duke lidhur emocionin e lojës me historinë e sportit në vend./Katror.info