Lajm i mirë për nxënësit dhe arsimtarët në Kosovë: Zgjoi, platforma digjitale e krijuar nga Agron dhe Kimete Dida, tashmë është bërë asistent me inteligjencë artificiale – ZgjoiAI, shkruan Katror.info.
Pas pothuajse një dekadë punë vullnetare, në enciklopedinë mësimore, ky çift i palodhur ka arritur të kthejë www.zgjoi.org në një asistent të mençur dhe personal që i ndihmon nxënësit e mësuesit në kohë reale – dhe tërësisht falas. Njoftimin e ka bërë vetë Agron Dida në një postim në Facebook.
“Çka ofron asistenti me inteligjencë artificiale ZgjoiAI:
• Asistencë të personalizuar me AI për nxënës dhe arsimtarë;
• Sinkronizim të plotë me Kurrikulën e arsimit para-universitar të Republikës së Kosovës
• Të gjitha lëndët mësimore prej k1-K9 dhe K10-K12 për dy gjimnazet (Natyror dhe Shoqëror-Gjuhësor)
• 12,788 tema mësimore për çdo lëndë dhe fushë kurrikulare (sipas hierarkisë: KLASA-LËNDA-KAPITULLI-NËN-KAPITULLI dhe TEMA)
• Të gjitha këto në gjuhën shqipe dhe 10 gjuhë kryesore botërore dhe gjuhë të komuniteteve minoritare të Kosovës,” ka shkruar Dida.
Kushdo që ka një konto personale në ChatGPT mund të fillojë menjëherë duke aktivizuar vegzën: https://www.zgjoi.org dhe përcjellur veprimet që do të shfaqen në ekran (PC, Tablet. Mobil, etj.),” ka sqaruar Dida.
“Zgjoi” është themeluar në vitin 2015 dhe prej atëherë nuk ka pushuar duke u përditësuar gjithnjë me materiale në trend me kohën.
Në një intervistë të mëhershme për Katror Media, Dida pat thënë se platforma “Zgjoi.com” e iniciuar nga ai dhe bashkëshortja e tij, Kimete Dida është adresë arsimore për lëndë shkencore, artistike e filozofike. E pjesa më atraktive është që kryefjala e saj janë mbi tre mijë video, si mediumi më atraktiv në kohën e pushtimit teknologjik.
Ata nuk e kanë ndalur aktivizmin e tyre pavarësisht mungesës së përkrahjes nga institucionet, shkollat e mësimdhënësit. Ajo që e mban gjallë këtë iniciativë është entuziazmi i jashtëzakonshëm i tyre, e që i ka bërë të jenë autodidaktë të çdo sfere deri në realizimin e kësaj nisme.
“Thash çka të bëj diçka që kishte me qenë interesant. Së pari mendova me kënd, kush duhet të jetë audienca? Vendosa të jenë fëmijët, për arsye se të rriturve, atyre veç ju ka kalu ‘afati’. Ata munden me mësu nëse duan dhe janë të pjekur mjaft me kuptu si duhet të ecin përpara në këtë drejtim. Por, fëmijët janë ata që kanë më së shumti nevojë që me i mbështet për me zhvillu kulturën digjitale,” shprehet Dida për Katror Media.
Frymëzim për “Zgjoin” u bë vet zonja Kimete, e cila si profesoreshë e teknologjisë kishte tentuar që gjithnjë mësimin ta kombinonte me video herë duke përdorur grafoskop, e së voni edhe projektor.
“Krejt ata që i kam kontaktuar në email, nuk kam dashur t’i bëj presion me telefon, asnjëri nuk m’u ka përgjigjur. Mbet emri “Zgjoi” si bashkëpunim i bletëve, kam punuar veç me Kimeten edhe vetë,” thotë Dida./Katror.info