Sot mbahet vazhdimi i 17-të i seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, me nisje të paralajmëruar në ora 10:30. Procesi ka ngecur në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, ku mungesa e konsensusit ndërmjet partive po pamundëson finalizimin e kësaj faze të rëndësishme.
Lëvizja Vetëvendosje ka ripërsëritur qëndrimin e saj se Albulena Haxhiu mbetet kandidatja e vetme për këtë post, ndërsa ka propozuar që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, përmes një Komisioni që do të mundësonte këtë procedurë. Sidoqoftë, partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Haxhiut.
Në përpjekje për të thyer ngërçin institucional, presidentja e vendit zhvilloi të enjten një takim me liderët e partive politike. Megjithatë, sipas burimeve zyrtare, ky takim nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.
Përballë kësaj situate, mbetet e paqartë nëse do të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, apo nëse vendi do të përballet me një tjetër krizë institucionale./Katror.info