Sonte mbahet finalja e madhe e edicionit të 69-të të Eurovision Song Contest, një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në Evropë. Spektakli fillon në orën 21:00 (CEST) dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga salla “St. Jakobshalle” në Bazel të Zvicrës, si dhe në platformën YouTube për publikun ndërkombëtar.
Pas dy gjysmëfinaleve emocionuese, në skenë do të ngjiten 26 shtete finaliste për të konkurruar për trofeun prestigjioz të këtij viti. Një nga momentet më të pritura të mbrëmjes do të jetë performanca e Shqipërisë, e cila do të ngjitet e fundit në skenë – në pozitën e 26-të në renditje. Ky pozicion njihet shpesh si strategjik dhe mbresëlënës, duke i dhënë mundësi të fundit për të lënë një përshtypje të fortë tek audienca dhe juritë.
Shqipëria këtë vit përfaqësohet nga grupi Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, një kompozim që kombinon ritmet elektronike me motive tradicionale shqiptare. Performanca e tyre është vlerësuar për autenticitetin, energjinë vizuale dhe risinë që sjell në skenën e Eurovision-it, duke ngjallur interes të madh në rrjetet sociale dhe media ndërkombëtare.
Pritshmëritë për një rezultat të mirë për Shqipërinë janë më të larta se kurrë. Mediat ndërkombëtare e kanë cilësuar këtë hyrje si një prej “underdog”-ëve me potencial për të surprizuar, falë origjinalitetit dhe pozicionit të favorshëm në renditje.
Mbrëmjen do ta prezantojnë figurat e njohura të ekranit zviceran: Hazel Brugger, Michelle Hunziker dhe Sandra Studer, të cilat pritet të udhëheqin me elegancë dhe humor këtë spektakël katërorësh, i mbushur jo vetëm me muzikë, por edhe me emocione, argëtim dhe të ftuar specialë.
Në fund të mbrëmjes, pas përfundimit të të gjitha performancave, do të hapet votimi për publikun dhe juritë profesionale nga vendet pjesëmarrëse, të cilat do të përcaktojnë fituesin e Eurovision 2025. Vëmendja tashmë është e gjitha te Bazeli, ku Evropa pret me padurim të mësojë se kush do të ngadhënjejë në natën më të madhe të muzikës kontinentale.
Renditja e performancave në Finalen e Madhe – Eurovision 2025:
Norvegjia – “Lighter” – Kyle Alessandro
Luksemburgu – “La poupée monte le son” – Laura Thorn
Estonia – “Espresso macchiato” – Tommy Cash
Izraeli – “New Day Will Rise” – Yuval Raphael
Lituania – “Tavo akys” – Katarsis
Spanja – “Esa diva” – Melody
Ukraina – “Bird of Pray” – Ziferblat
Mbretëria e Bashkuar – “What The Hell Just Happened?” – Remember Monday
Austria – “Wasted Love” – JJ
Islanda – “Róa” – Væb
Letonia – “Bur man laimi” – Tautumeitas
Holanda – “C’est La Vie” – Claude
Finlanda – “Ich komme” – Erika Vikman
Italia – “Volevo essere un duro” – Lucio Corsi
Polonia – “Gaja” – Justyna Steczkowska
Gjermania – “Baller” – Abor & Tynna
Greqia – “Asteromáta” – Klavdia
Armenia – “Survivor” – Parg
Zvicra – “Voyage” – Zoë Më
Malta – “Serving” – Miriana Conte
Portugalia – “Deslocado” – Napa
Danimarka – “Hallucination” – Sissal
Suedia – “Bara bada bastu” – KAJ
Franca – “Maman” – Louane
San Marino – “Tutta l’Italia” – Gabry Ponte
Shqipëria – “Zjerm” – Shkodra Elektronike.
/Katror.info