Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani u takua sot me presidenten Vjosa Osmani, njoftoi misioni paqeruajtës i NATO-s.
Takimi, siç njoftoi KFOR-i, “ishte pjesë e ndërveprimeve të rregullta” të komandantit me “homologët e tij përkatës në Kosovë dhe në rajon”.
“Situata aktuale dhe bashkëpunimi ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve në Kosovë ishin temat kryesore të takimit”, thuhet në njoftim.
KFOR-i thotë se Barduani ia përcolli Osmanit shpresën e tij për zhbllokim të shpejtë të ngërçit politik aktual.
“Gjeneral Barduani i përcolli znj. Osmani shpresën e tij për një zhbllokim të shpejtë të ngërçit politik aktual, në mënyrë që të rifillojë menjëherë trajtimi i sfidave më urgjente për rajonin”.
“Ai gjithashtu theksoi bashkëpunimin e mirë dhe të vazhdueshëm të KFOR-it me organizatat e sigurisë në Kosovë dhe rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit të rregullt, për të mirën e sigurisë së qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetit rajonal”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Lidhur me takimin ka shkruar edhe Presidenca e Kosovës, e cila potencoi sfidat aktuale te sigurisë.
“Presidentja Osmani potencoi sfidat aktuale të sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë tek siguria kufitare dhe domosdoshmëria për parandalim dhe shmangie të çdo përpjekjeje për destabilizim nga Serbia”, thuhet në njoftim të Presidencës së Kosovës.
Më tej, Presidentja vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe angazhimit të ndërsjellë. /Katror.info
Përgatiti:
