Një anketë e UNICEF-it tregoi se ky shtet është vendi më i mirë për të qenë fëmijë
Holanda është vendi më i mirë për të qenë fëmijë bazuar në masat e mirëqenies mendore, shëndetit fizik dhe aftësive, sipas një studimi të publikuar së fundmi nga organizata e OKB-së për fëmijë, UNICEF.
Danimarka është në vendin e dytë, Franca është në vendin e tretë, e ndjekur nga Portugalia dhe Irlanda, thuhet në raportin e UNICEF-it, i cili krahasoi të dhënat nga 43 vende të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) dhe BE-së.
Si duket kjo në praktikë kur bëhet fjalë për Holandën dhe rritjen e fëmijëve?
Amanda van Mulligen, e cila u zhvendos nga Britania në Holandë 25 vjet më parë, foli për këtë në blogun e saj “Turning Dutch”. Ajo thotë se e konsideron veten me fat që po rrit fëmijët e saj në Holandë.
Fëmijët holandezë në përgjithësi arrijnë rezultate të mira në kërkimet mbi lumturinë, andaj ky studim i kohëve të fundit i UNICEF-it është vetëm edhe një provë tjetër.
Nuk është rastësi që holandezët shkëlqejnë në raporte të tilla si ai i Kombeve të Bashkuara. Nga ajo që shoh përreth meje, holandezët punojnë me vetëdije për të rritur fëmijë të lumtur, të shëndetshëm dhe të pavarur, ndërsa unë e konsideroj veten me fat që po rris tre fëmijë këtu”, thotë ajo dhe jep gjashtë arsye për këtë, transmeton Telegrafi.
Në shkollat në Holandë, i lënë fëmijët të jenë vetvetja
Fëmijëve holandezë u lejohet të përqendrohen në atë që bëjnë më mirë – në lojë. Atyre u jepet kohë e mjaftueshme për atë aktivitet të rëndësishëm – lojën.
“Edhe pse shumica e fëmijëve fillojnë shkollën në moshën katër vjeç (është e detyrueshme me ligj vetëm nga mosha pesë vjeç), loja mbetet tema kryesore pas kësaj. Ata mësojnë përmes lojës (spelenderwijs leren) dhe vetëm në klasën e tretë (kur janë gjashtë ose shtatë vjeç) pritet që ata të fillojnë zyrtarisht të lexojnë dhe të shkruajnë.”
Themelet janë hedhur në klasat e hershme, por pa pritshmëri të larta. Kur arrijnë në klasën e tretë, shumica e fëmijëve i kanë zotëruar tashmë bazat e leximit dhe shkrimit përmes lojës – pa presion.
“Përvoja ime është se në klasën e parë dhe të dytë të shkollës sonë të vogël holandeze, fokusi është tek fëmijët që mësojnë të punojnë në mënyrë të pavarur, të zhvillojnë vetëdijen sociale, të mësojnë të bashkëpunojnë në një grup dhe të kujdesen për njëri-tjetrin. Ata mësojnë se ka rregulla dhe kufij edhe jashtë shtëpisë – por në një mënyrë të sigurt, të gjallë, plot respekt.”
Djali i saj katërvjeçar ka detyra të përditshme dhe javore, të tilla si pikturimi i një peme vjeshte me gishtat ose ndërtimi i një shtëpie me blloqe.
“Ai më tregon me krenari sa shumë punoi dhe se i përfundoi të gjitha detyrat – dhe në fakt kaloi një javë duke luajtur, krijuar… dhe mësuar”, thotë ajo, duke shtuar se e ardhmja e fëmijëve nuk përcaktohet në moshën katër vjeç.
Amanda thotë se fëmijët e saj do të fillojnë të bëjnë detyra shtëpie vetëm kur të shkojnë në shkollë të mesme.
“Po, djali më i madh ndonjëherë ka nevojë të praktikojë tabelën e shumëzimit në shtëpi, por orë të tëra matematike dhe gjuhësh pas shkolle? Jo, absolutisht jo.”
Kjo do të thotë që fëmijët e saj kanë kohë të bëjnë atë që bëjnë më mirë – të luajnë. Gjë që na çon te arsyeja tjetër.
Kultura e të qenit jashtë
Holandezët janë një popull që u pëlqen të jenë jashtë – dhe kështu janë edhe fëmijët e tyre. Nëse nuk po ngasin biçikletë, atëherë janë në skuter, patina ose roletë. Në dimër ata shkojnë me sajë ose patinazh.
“Fëmijët inkurajohen të luajnë në rrugët e zonave të banuara (ku shenjat e trafikut janë të përshtatshme për fëmijë dhe shpejtësia e automjeteve është dukshëm e kufizuar). Fëmijëve të mi u pëlqen të jenë jashtë, aktivë, pavarësisht kushteve të motit. Më kujton fëmijërinë time në Britani në vitet tetëdhjetë, kur argëtoheshim në rrugë duke përdorur vetëm imagjinatën, ndoshta një top dhe një biçikletë.”
Shoqëri miqësore për fëmijët
Amanda thotë se në lagjen e saj nuk ke pse të shkosh larg për të gjetur një kënd tjetër lojërash ose park.
“Ato janë të gjitha të vogla, por të larmishme dhe të shumta. Nëse do të donim, mund të vizitonim një kënd lojërash të ndryshëm çdo ditë – në këmbë. Gjithashtu, shumë restorante janë të përshtatshme për fëmijë, dhe numri i parqeve argëtuese, kopshteve zoologjike dhe atraksioneve për fëmijë në të gjithë Holandën është i mahnitshëm për një vend kaq të vogël. Ka më shumë se mjaftueshëm argëtim për fëmijë të të gjitha moshave.”
Një ndjenjë komuniteti
Ashtu si fushat e lojërave, shkollat fillore në Holandë janë të vogla dhe të shumta. Kjo do të thotë që fëmijët në përgjithësi ndjekin shkolla që janë afër shtëpisë. Zonat shkollore janë të vogla (megjithëse jo të përcaktuara në mënyrë strikte – mund ta regjistroni fëmijën tuaj në një shkollë më larg shtëpisë nëse dëshironi, përveç ndoshta në disa qytete më të mëdha).
“Kjo është arsyeja pse fëmijët shkojnë në shkollë në këmbë ose me biçikletë. Kur rriten, kjo u jep atyre një ndjenjë pavarësie – një ndjenjë që humbet nëse prindërit e tyre i ngasin me makina të mëdha çdo ditë, siç ndodh shpesh në Angli.”
Siç thotë ajo, i pëlqen që holandezët kultivojnë atë frymë lokale të lagjes.
“Fëmijët e mi shkojnë në shkollë me fëmijët që jetojnë në lagje. Pas shkollës, ata luajnë së bashku në parqet lokale. Kjo krijon një ndjenjë komuniteti. Ata punojnë së bashku, luajnë së bashku.”

Ndihma shtetërore
Familja është e rëndësishme dhe kjo mund të shihet në politikën shtetërore. Ekzistojnë përfitime të ndryshme shtetërore për familjet me fëmijë – subvencione për kujdesin ndaj fëmijëve, si dhe pagesë për fëmijë. Arsimi shtetëror është falas. Sistemi holandez i kujdesit për të rinjtë është i larmishëm – dhe në shumicën e rasteve falas, thotë ajo.
“Gjithçka fillon që nga lindja me ndihmën e *kraamzorg* (kujdesi në shtëpi pas lindjes) dhe vazhdon përmes vizitave në ‘consultatiebureau’ (qendra këshillimi për prindër dhe fëmijë), e cila është një shërbim unik. Sistemi nuk është perfekt, por sa herë që kam pasur nevojë për ndihmë si prind, kam marrë mbështetje. Edhe pse jam e huaj me një rrjet të vogël mbështetjeje familjare, kam dikë ku të mbështetem – falë sistemit holandez të kujdesit për fëmijët. Kjo mund të jetë motoja e jetës së holandezëve kur bëhet fjalë për prindërimin.”
Ekuilibri midis punës dhe jetës
Dhe e fundit, por aspak më pak e rëndësishmja – i kushtohet vëmendje e madhe ekuilibrit midis punës dhe jetës familjare. Familja është një vlerë qendrore në shoqërinë holandeze.
“Një numër i madh punonjësish punojnë me kohë të pjesshme – veçanërisht gratë – për të qenë pranë fëmijëve të tyre dhe punojnë gjatë orarit të shkollës. Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, ky është realiteti. Mua më pëlqen.”
Prindërit, cilado qoftë situata e tyre, duhet të gjejnë një ekuilibër midis punës dhe familjes që u përshtatet atyre. Kultura dhe shoqëria holandeze ua ofrojnë atyre këtë mundësi. Kështu, fëmijët kanë prindër që në përgjithësi kanë kohë të jenë të pranishëm dhe të përfshirë në jetën e tyre.
Në fund të fundit, gjithçka varet nga qëndrimi i prindërve.
“Prindërit në Holandë nuk i shtyjnë fëmijët e tyre të rriten shumë shpejt. Në vend të kësaj, i lënë të jenë fëmijë për aq kohë sa të munden dhe nuk shqetësohen për të ardhmen ndërsa janë të vegjël. Kohët e fundit lexova artikuj rreth prindërve amerikanë që i shtyjnë fëmijët e tyre të kenë sukses në shumë fusha – si brenda ashtu edhe jashtë shkollës. Orari i tyre i aktiviteteve pas shkolle do t’i trondiste fëmijët holandezë.”
Është e vërtetë që holandezët kanë reputacionin e liberalëve – ndoshta tepër për disa kultura – por Amanda sheh një qasje të hapur dhe të menduar mirë ndaj prindërimit që funksionon, duke krijuar fëmijë të pavarur që ndihen të dëgjuar dhe të vlerësuar. Fëmijë që me gëzim u tregojnë studiuesve se janë të lumtur.
“Kjo është arsyeja pse kam ndërmend të vazhdoj të vëzhgoj prindërit holandezë përreth meje dhe t’u shërbej tre djemve të mi një dozë të mirë prindërimi holandez. Shpresoj që, një ditë, kur një studiues i OKB-së t’i pyesë ata për lumturinë, ata do të japin të njëjtat përgjigje pozitive si fëmijët para tyre.” /Katror.info
Përgatiti:
