Grupi legjendar i muzikës shqiptare Elita 5 ka rrëmbyer çmimin kryesor në edicionin e 22-të të spektaklit prestigjioz “Netët e Klipit Shqiptar”, duke fituar titullin “Klipi më i mirë në të gjithë komponentët” me këngën e tyre më të fundit “Natën e mirë”, shkruan Katror.info.
Mbrëmja gala, e rikthyer në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë pas shtatë vitesh larg kryeqytetit, ofroi emocione të forta, performanca speciale dhe një sërë çmimesh për produksionet më të mira muzikore dhe vizuale në hapësirën shqiptare. Spektakli u transmetua drejtpërdrejt në RTSH 1 HD, nën moderimin e Ermal Peçit dhe Drita Zirit.
Vokalisti i Elita 5, Arif Ziberi, në fjalën e tij pas marrjes së çmimit, falënderoi jurinë, produksionin dhe mbi të gjitha publikun që i ka qëndruar besnik grupit për më shumë se 35 vite. “Natën e mirë ka qenë një projekt i realizuar shpejt, por me shumë përkushtim. Falënderojmë publikun e mrekullueshëm që na përkrah ndër vite. Derisa të jenë ata, do të jetë edhe grupi Elita 5”, u shpreh Ziberi. Videoklipi u realizua nga produksioni Deliart me montazh të Daniel Joveski, që gjithashtu fitoi çmimin për montazhin më të mirë në klip.
Pjesë e mbrëmjes ishin dhe shumë artistë të njohur, të cilët dorëzuan çmimet për fituesit në kategori të ndryshme, duke përfaqësuar artin skenik, muzikën dhe letërsinë.
Lista e fituesve të edicionit të 22-të të “Netët e Klipit Shqiptar”:
- Klipi më i mirë në të gjithë komponentët: “Natën e mirë” – Elita 5
- Grafika më e mirë: Pinkmoon për “Putain” – Dafina Zeqiri ft. Vig Poppa
- Klipi më i mirë baladë: “Vëlla” – Silva Gunbardhi
- Debutuesja më e mirë: Luna Çausholli – “Dielli të më shohë”
- Klipi më i mirë urban: “E premte” – Orgesa Zaimi
- Kamera më e mirë: MVC Production – “A ka njeri” nga Hazy ft. Klodian Kodra
- Muzika qytetare: “Të kam dashur” – Ertila Koka
- Interpretuesi më i mirë: Mateus Frroku – “Me raki”
- Klipi më i mirë rok: “Twisted” – Rool
- Montazhi më i mirë në klip: Daniel Joveski – “Natën e mirë” – Elita 5
- Çmimi i publikut: Rina Januzi – “Ten Thousand Miles”
- Dueti më i mirë në klip: Gena & Mimoza Shkodra – “Tradhtia”
- Fabula më e mirë në klip: “Paja e nusnis” – Fatjeta Barbullushi
- Regjia më e mirë: Emiljo Leka – “Ti m’ke braktis” – Big Basta, Lyrical Son & MC Kresha
- Best Influencer: Arkimed Lushaj (Stresi)
- Interpretuesja më e mirë në klip: Marsela Çibukaj – “As engjëll, as dreq”
- Produksioni më i mirë në klip: Fullmoon Production – “Romanca” nga Bardhi & Melinda
“Netët e Klipit Shqiptar” edhe këtë vit dëshmoi përkushtimin ndaj cilësisë dhe promovimit të muzikës shqiptare, duke u kthyer në një platformë të fuqishme për afirmimin e artistëve të rinj dhe vlerësimin e ikonave të skenës./Katror.info