Sheshi Federal (Bundesplatz) në zemër të kryeqytetit zviceran është zbukuruar me flamujt e Republikës së Kosovës, në pritje të vizitës zyrtare që Presidentja Vjosa Osmani do të zhvillojë sot në Zvicër, me ftesë të Presidentes zvicerane, Karin Keller-Sutter, shkruan Katror.info.
Kjo pamje festive në qendër të Bernës pasqyron pritjen e lartë shtetërore që i bëhet Presidentes Osmani dhe delegacionit të saj. Flamujt e Kosovës të vendosur pranë atyre të Zvicrës simbolizojnë respektin dhe miqësinë mes dy vendeve.
Vizita zyrtare e Presidentes Osmani konsiderohet një moment historik dhe thelbësor për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke nënvizuar lidhjet e forta, bashkëpunimin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta mes Kosovës dhe Zvicrës. Kjo është vizita e parë shtetërore e një kreu të shtetit të Kosovës në Zvicër dhe vjen në një kohë kur të dyja vendet po thellojnë partneritetin në fusha të ndryshme.
Ceremonia shtetërore e pritjes së Presidentes Osmani do të zhvillohet në sheshin Bundesplatz, ku pritet që ajo të mirëpritet me nderime të larta ushtarake nga Presidentja Keller-Sutter./Katror.info