Napoli ka fituar titullin kampion të Italisë për sezonin 2024/25, duke e mbyllur Serie A me një fitore të rëndësishme 2-0 ndaj Cagliarit në javën e fundit të kampionatit.
Me këtë triumf, skuadra napolitane grumbulloi 82 pikë, një më shumë se ndjekësi më i afërt, Interi, i cili gjithashtu fitoi ndeshjen e vet, por pa mundur ta rrëmbejë kreun e tabelës.
Nën drejtimin e trajnerit Antonio Conte, Napoli e nisi ndeshjen vendimtare me vendosmëri dhe kaloi në epërsi në minutën e 42-të, me një gol të realizuar nga Scott McTominay pas një asistimi të saktë nga Matteo Politano. Në pjesën e dytë, Romelu Lukaku dyfishoi avantazhin në minutën e 51-të, pas një aksioni të ndërtuar nga mbrojtësi kosovar Amir Rrahmani, i cili asistoi për sulmuesin belg.
Ndërkohë, Interi kreu detyrën në transfertë ndaj Como, duke fituar me rezultatin 2-0. Stefan de Vrij zhbllokoi ndeshjen në minutën e 20-të pas një pasimi nga Hakan Calhanoglu, ndërsa goli i dytë erdhi në minutën e 51-të nga Joaquin Correa, i asistuar nga Mehdi Taremi.
Megjithatë, kjo fitore nuk ishte e mjaftueshme për zikaltrit, pasi Napoli ruajti epërsinë minimale në renditje dhe e mbylli sezonin si kampion i Italisë, duke fituar titullin e katërt në histori.
Kjo arritje vjen pas një sezoni të fortë e të qëndrueshëm për Napolin, me përforcime të rëndësishme dhe një drejtim strategjik nga trajneri Conte, i cili rikthehet në majën e futbollit italian./Katror.info.