Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot nga ora 11:00 në përpjekjen e 21-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë, pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt, shkruan Katror.info.
Përpjekja e 20-të për konstituim dështoi të premten, kur sërish nuk u arrit të formohej komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Edhe pse kryesuesi i seancës përsëriti thirrjen ndaj subjekteve politike që nuk kanë dorëzuar emrat e anëtarëve për komisionin zgjedhor, propozime të reja nuk pati.
Kryesuesi procedoi me votimin e komisionit me emrat e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, ku votuan 53 deputetë. Nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim, megjithatë, mungesa e konsensusit të gjerë vazhdon të mbajë peng procesin e konstituimit.
Ndërkohë, partitë politike vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për krijimin e bllokadës institucionale, duke reflektuar mungesën e vullnetit për gjetjen e një zgjidhjeje për daljen nga kriza politike.
Rrjedha e sotme e seancës pritet të jetë përcaktuese për fatin e legjislaturës së re dhe për zhvillimet e mëtejme politike në vend./Katror.info