Prizreni do të shndërrohet në një skenë të hapur më 21 qershor, kur qyteti pret një koncert të pazakontë nën emrin “Rock n’Road”, të organizuar nga Qendra për Mësim dhe Edukim për të Rinj dhe të Rritur – THY, shkruan Katror.info.
Nga ora 19:00 deri në 21:00, një kamion i transformuar në skenë muzikore do të lëvizë nëpër qytet, duke filluar nga Wesley Clark (ish-Benafi) e deri te Qendra Sportive “Sezai Surroi”, duke sjellë muzikë live dhe atmosferë të gjallë në çdo cep të rrugës.
Bendet unike dhe të talentuara do të performojnë për publikun në rrugë, duke kthyer koncertin në një përvojë të rrallë, që ndërthur muzikën me lëvizjen dhe lirinë e hapësirës urbane.
Organizatorët ftojnë qytetarët të bashkohen në këtë ngjarje dinamike dhe të bëhen pjesë e ritmit, këngës dhe festës. “Mos qëndro anash – bëhu pjesë e ritmit!”, thuhet në thirrjen e THY për këtë mbrëmje të veçantë verore./Katror.info.