Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur sot ditën me takime me përfaqësues të komuniteteve, në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës.
Në vazhdën e këtyre konsultimeve, Osmani ka pritur më pas në takime të ndara kryetarin e partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, Nenad Rashiq, si dhe kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka.
Takimet po zhvillohen pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, që ka sjellë më shumë qartësi në lidhje me rrjedhën e procesit të konstituimit. Presidentja është duke mbajtur takime të ndara me secilin lider politik, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të dakorduar dhe funksionale për kapërcimin e krizës institucionale.
Gjatë javës, Osmani ka pritur në takim edhe kryetarin e VV-së, Albin Kurti, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në një komunikatë të Presidencës thuhet se Presidentja u ka bërë thirrje liderëve politikë që të arrijnë pajtueshmëri sa më shpejt, brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, për të mundësuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve të reja./Katror.info