Kosova do të ngjitet edhe njëherë në skenën ndërkombëtare të muzikës korale përmes Korit ‘Siparantum’, që do të përfaqësojë vendin në njërin prej ngjarjeve më prestigjioze evropiane: European Choir Games Grand Prix of Nations Aarhus 2025, që mbahet në qytetin kulturor të Aarhus-it, Danimarkë.
Në këtë festë ndërkombëtare të artit dhe bashkëjetesës kulturore, mbi 130 kore dhe deri në 6,000 pjesëmarrës nga 35 vende të botës do të jenë të pranishëm, por Kosova do të zërë një vend të veçantë jo vetëm si pjesëmarrëse, por edhe si dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm artistik që rrjedh nga një vend i vogël, por me shpirt të madh kulturor.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë kategori nuk është rastësi, por rezultat i një përkushtimi shumëvjeçar, që ka filluar të njihet në skenën ndërkombëtare, falë punës së palodhur të artistëve dhe vizionit të një brezi të ri që beson se muzika është ura më e fortë për të ndërtuar imazhin e një shteti, shkruan RTK.
“Përmes veprave shqiptare, ne sjellim në skenën ndërkombëtare tingujt e një kulture të lashtë, të pasur me emocione, ritme autoktone dhe histori të thella. Muzika jonë është zëri i identitetit, kujtesës dhe krenarisë — një ftesë për ta njohur shpirtin shqiptar përmes këngës”, thuhet në njoftimin e ‘Siparantum’./Katror.info