Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim për ndalimin e rreptë të ndezjes së zjarreve në të gjitha ambientet e hapura në vend, si masë parandaluese ndaj përhapjes së zjarreve që kanë përfshirë disa zona ditëve të fundit për shkak të temperaturave të larta.
Sipas vendimit, ndalohet çdo lloj ndezje në ambiente të hapura, përfshirë djegien e mbeturinave, pyjeve, fushave, livadheve, ndezjet për rekreacion dhe piknik, si dhe përdorimi i fishekzjarrëve. MPB thekson se ndezja e zjarreve në kundërshtim me këtë vendim përbën vepër penale dhe se shkelësit do të përballen me masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.
“Bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë këtë vendim, duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr ose përhapje të tij,” thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ministria gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast se vërejnë zjarr apo rrezik për zjarr, të lajmërojnë menjëherë autoritetet kompetente përmes numrit emergjent 193 ose Policinë e Kosovës në 192.
Ky vendim vjen në kohën kur vendi po përballet me një valë të nxehti, që ka ndikuar në shtimin e rasteve të zjarreve në zona të ndryshme, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe rrezik për jetën dhe mjedisin./Katror.info