Një ëndërr që nisi në një dhomë të vogël me kompjuter, sot është bërë realitet për Drin Shaqirin nga Kosova – i njohur në botën e lojës Counter-Strike me nofkën ‘makazze’.
Djaloshi i ri nga Prishtina është bërë pjesë e ekipit kryesor të Natus Vincere (Na’Vi), një prej organizatave më prestigjioze në botën e eSportit. Kjo është arritja më e madhe individuale e një eSportisti kosovar deri më tani, duke shënuar një kapitull të ri për Kosovën në hartën globale të lojërave elektronike.
Na’Vi, organizata ukrainase e themeluar në vitin 2009, ka prodhuar emra legjendarë në botën e CS:GO dhe CS2 si s1mple dhe electronic, dhe ka fituar turne të mëdhenj si Major Championships dhe BLAST Premier. Pjesë e këtij ekipi nuk bëhesh rastësisht – përzgjedhja është e rreptë, konkurrenca e jashtëzakonshme dhe niveli i lojës, ndër më të lartët në botë. Prandaj, përfshirja e Drinit në këtë skuadër është një dëshmi e talentit, përkushtimit dhe disiplinës që ai ka ndërtuar me vite të tëra.
Counter-Strike nuk është thjesht një lojë. Është një sport i vërtetë që kërkon strategji të thellë, reagim të menjëhershëm, punë ekipore, dhe mbi të gjitha – përkushtim të hekurt. Në këtë botë, ata që arrijnë në majë, fitojnë më shumë se lavdi: turnet më të mëdha shpërblejnë me miliona dollarë dhe hapin dyer për karriera ndërkombëtare./Katror.info