Toger Qendrim Imeraj ka përfunduar me sukses Kursin Bazë për Oficerët e Këmbësorisë në Shkollën prestigjioze “Manoeuvre Center of Excellence” në Fort Benning, Georgia, SHBA. Për shkak të rezultateve të shkëlqyera gjatë trajnimit, ai u dekorua me çmimin e veçantë “Distinguished Honor Graduate”, i cili njihet si një nga njohjet më të larta për studentët që tregojnë performancë të jashtëzakonshme në të gjitha aspektet e kursit.
Ky sukses i Imerajt është jo vetëm reflektim i përkushtimit të tij personal, por edhe dëshmi e profesionalizmit dhe cilësisë së oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët po arrijnë rezultate të larta në arenën ndërkombëtare.
Kursi, i cili konsiderohet themelor për përgatitjen e oficerëve të këmbësorisë, përfshin trajnime të avancuara në fusha kyçe si: taktikat e operacioneve tokësore në nivel togu dhe kompanie, lidershipi ushtarak dhe vendimmarrja në kushte stresuese, trajnimi fizik intensiv, menaxhimi i burimeve dhe logjistikës në terren, si dhe teknikat e komunikimit dhe komandimit në operacione të përbashkëta dhe ndërkombëtare.
Përgatitja dhe nderimi i Toger Imerajt forcon besimin në kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe pozicionon Kosovën si një partner serioz në bashkëpunimin ushtarak ndërkombëtar./Katror.info