Fshati piktoresk i Kukajt do të shndërrohet sërish në një qendër të gjallë të kulturës dhe trashëgimisë kombëtare, pasi më 10 korrik 2025 nis edicioni i 15-të i EtnoFestit – një nga festivalet më autentike kulturore në Kosovë. Festivali do të zgjasë deri më 20 korrik, duke sjellë një program të pasur me aktivitete që nderojnë identitetin dhe rrënjët e popullit shqiptar, shkruan Katror.info.
Nën moton “Identiteti”, EtnoFesti i këtij viti do të jetë një udhëtim i thellë drejt asaj që jemi dhe çfarë kemi trashëguar. Hapjen do ta shënojë performanca e artistes Malda Susuri, ndërsa gjatë ditëve në vijim pritet të performojnë edhe Grupi Rilindja, Jericho, Florent Abrashi, Vjollca Robelli dhe trupa të tjera artistike nga vendi dhe bota. Një ndër atraksionet ndërkombëtare të festivalit do të jetë Sarakasi Trust nga Kenia – një trupë dinamike akrobatësh dhe valltarësh që do të sjellë ritmet dhe ngjyrat e Afrikës në Kukaj.
Në kuadër të EtnoFestit do të hapen edhe disa ekspozita të rëndësishme. Ekspozita “KRUSHA IME” nga artistja Mercedes Pereira është një homazh për gratë e mbijetuara të luftës nga Krusha, simbol i forcës dhe guximit. Blerta Syla Surroi do të paraqitet me ekspozitën e qeramikës “Rrëfime Peshqish”, ndërsa skulptori Gëzim Muriqi do të prezantohet me “Ridimensionime”, një reflektim i fuqishëm nëpërmjet artit bashkëkohor.
Nga tingujt autoktonë, artizanati, ushqimi tradicional, shfaqjet, ekspozitat e deri te rrëfimet që mbajnë gjallë shpirtin e një kombi – EtnoFesti është vendi ku kultura jehon dhe historia përjetohet./Katror.info