Komuna e Prishtinës ka lëshuar një njoftim zyrtar për qytetarët lidhur me ndryshimet e menjëhershme dhe të theksuara të motit që pritet të ndodhin gjatë kësaj jave, duke paralajmëruar për rreziqe potenciale nga erërat e forta, rrebeshet e shiut dhe shkarkesat rrufore, shkruan Katror.info.
Në komunikatën e publikuar nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca, thuhet se pas një periudhe të gjatë me temperatura të larta dhe mot të nxehtë, pritet një ndryshim i fuqishëm i kushteve atmosferike që do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në kryeqytet.
“E marta do të mbetet ende nën ndikimin e masave të nxehta, por pasdite pritet shtim i vranësirave dhe rrebeshe lokale shiu, rrufe dhe erëra deri në 70 km/h. Nga e mërkura, një front i fuqishëm i ftohtë do të sjellë ulje të menjëhershme të temperaturave (deri në 20°C më pak), reshje shiu dhe mot të paqëndrueshëm. E enjtja do të jetë me vranësira të shpeshta dhe temperatura më të ulëta se zakonisht”, thuhet në njoftim.
Sipas parashikimeve ndërkombëtare, ky front i fuqishëm i ftohtë do të depërtojë nga veriperëndimi i Evropës, duke përfshirë shtete si Italia Veriore, Sllovenia, Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Hungaria, Sllovakia, Polonia, Ukraina dhe Rumania – zona ku priten rrebeshe të fuqishme shiu, rrufe të rrezikshme dhe erëra deri në 130 km/h, me potencial për pasoja serioze.
Komuna u bën thirrje qytetarëve të qëndrojnë të informuar për paralajmërimet nga institucionet dhe mediat zyrtare, të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive dhe rrufesë, të sigurojnë objektet e jashtme që mund të dëmtohen nga erërat dhe të mos parkojnë automjetet nën pemë apo objekte të paqëndrueshme. Po ashtu, kërkohet kujdes i veçantë për fëmijët, të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta gjatë kësaj periudhe të paqëndrueshme atmosferike.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka bërë të ditur se është në gjendje gatishmërie dhe në koordinim me të gjitha shërbimet relevante të reagimit, për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Qytetarët do të mbahen të informuar në kohë reale për çdo zhvillim të mëtejshëm./Katror.info