Në amfiteatrin e Fakultetit të Edukimit të UP-së u zhvillua ceremonia e hapjes së edicionit të 24-t të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës.
UP-ja ka treguar se gjatë dy javëve në vijim, pjesëmarrësit do të ndjekin kurse që variojnë nga lidershipi i brezit Z e teknologjitë financiare, te inteligjenca artificiale, arkeologjia, efektet speciale filmike dhe drejtësia tranzicionale.
“Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, në fjalën e tij para të pranishmëve, shprehu mirënjohjen për profesorët dhe studentët vendorë e ndërkombëtarë që i janë bashkuar këtij edicioni për të ligjëruar dhe mësuar. Ai theksoi se Universiteti Ndërkombëtar Veror përfaqëson ambasadorin kryesor të ndërkombëtarizimit të UP-së, duke qenë jo vetëm një platformë akademike, por edhe një hapësirë për ndërtimin e miqësive të reja dhe shkëmbimeve kulturore e shoqërore”.
Për mysafirët nga bota akademike, rektori Hajrullahu pati një këshillë.
“Gjatë vizitës në Prizren të ndalen te shatërvani dhe të pinë ujë aty, sepse, sipas legjendës, kush e bën këtë, rikthehet patjetër në Kosovë”, u ka thënë rektori mysafirëve.
Te rekomandimet e tij, në hapjen e edicionit të 24 të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, Hajrullahu u rekomandoi mysafirëve të shijojnë edhe flinë tradicionale e të përjetojnë meloditë e çiftelisë.
“Ai, gjithashtu inkurajoi profesorët dhe studentët ndërkombëtarë që t’i përqafojnë shijet dhe tingujt e kulturës vendase: të shijojnë flinë tradicionale, të përjetojnë meloditë karakteristike të çiftelisë dhe të zbulojnë simbolin antik të Prishtinës, “Hyjnesha në Fron”.
Në ceremoni foli edhe zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, ndërsa për nder të të ftuarve, profesori, Dukagjin Muhaxheri nga Fakulteti i Arteve interpretoi disa melodi me saksofon.
Profesorët ndërkombëtarë të edicionit të 24-t të Universitetit Veror të Prishtinës vijnë nga Japonia, Polonia, Spanja, Franca, Greqia, Turqia, Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia. Po ashtu, mbi 130 studentë të huaj marrin pjesë, duke përfaqësuar vende të ndryshme të Evropës dhe kontinente të tjera./RTK/Katror.info.