Komuna e Gjilanit ka realizuar me sukses një projekt mbështetës për bletarinë, duke përfshirë 50 bletarë të rinj që kanë përfituar nga tri koshere bletësh secili – në total 150 koshere të mbushura me bletë.
Ceremonia e dorëzimit është mbajtur në prani të kryetarit të komunës, Alban Hyseni, dhe drejtorit të Bujqësisë, Bajram Isufi.
“Herën e parë kemi shpërndarë 300 koshere pa bletë. Këtë vit janë 150, por të gjitha të mbushura me bletë. Më pak në numër, por shumë më me vlerë – një mbështetje konkrete për bletarët tanë,” tha kryetari Hyseni.
Drejtori Isufi theksoi përkushtimin për vazhdimin e këtij programi edhe në të ardhmen, me synim nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe profesional të bletarëve në komunë.
“Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të sektorit të bletarisë dhe bujqësisë së qëndrueshme, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave për familjet fermere,” shtoi Isufi.
Ky projekt është pjesë e iniciativave të Komunës së Gjilanit për të forcuar sektorin bujqësor dhe për të mbështetur vetëpunësimin, veçanërisht në zonat rurale./Katror.info