Kampionati Evropian i Esportit ka hyrë në ditën e dytë të garave në Prishtinë, duke sjellë përballje të ashpra në disiplinën Counter-Strike 2 për ekipet e femrave. Nga ora 10:00, arena “1 Tetori” dhe zonat e garimit janë mbushur me emocion dhe rivalitet, ndërsa ekipet nga vende të ndryshme të Evropës luftojnë për pozita më të larta në grup, shkruan Katror.info.
Në skenën kryesore, Franca po përballet me Suedinë në një ndeshje me ritëm të lartë dhe pritshmëri të mëdha. Ndërkohë, në hapësirat e dedikuara për garë, zhvillohen përballjet mes Holandës dhe Gjermanisë, Letonisë dhe Danimarkës, si dhe Portugalisë dhe Sllovakisë.
Ndeshjet po transmetohen drejtpërdrejt në gjuhën shqipe përmes platformës twitch.tv/federataesports dhe në gjuhën angleze në twitch.tv/eef_cs, duke mundësuar ndjekje të gjerë për publikun vendas dhe ndërkombëtar.
Ky kampionat, që po zhvillohet për herë të parë në Kosovë, ka kthyer Prishtinën në qendër të skenës evropiane të e-sportit. Për pesë ditë me radhë, kryeqyteti është shndërruar në një hapësirë ku takohen talenti, teknologjia dhe energjia e brezit të ri të garuesve./Katror.info