Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, gjatë qëndrimit të saj në Washington D.C.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka falënderuar për mikpritjen e ngrohtë dhe diskutimin e hapur me zyrtarin amerikan, duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së.
“Kosova qëndron krah për krah me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar kapituj të rinj të bashkëpunimit strategjik, në përputhje me vizionin e fortë të Presidentit Trump. Më shumë siguri. Më shumë zhvillim. Më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe bizneset tona”, shkroi Osmani.
Takimi vjen në një kohë kur Kosova synon të forcojë marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë dhe të avancojë në fusha kyçe si siguria, zhvillimi ekonomik dhe investimet strategjike./Katror.info