Orkestra “Amadeus” nga Prishtina fitoi Çmimin e Argjendtë në Festivalin Botëror të Orkestrave në Vjenë.
Në mesin e dhjetëra orkestrave nga mbarë bota, interpretimi i tyre i veprës “Malësorja” të Lorenc Antonit, i shoqëruar me kostume tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare, është vlerësuar nga një juri ndërkombëtare prestigjioze në një konkurrencë të ngushtë dhe me nivel të lartë artistik.
Që prej 10 korrikut, nën drejtimin e dirigjentit Vehbi Shosholli, Orkestra “Amadeus” ka dhënë koncerte në sallat më të njohura të Vjenës si Wiener Konzerthaus, House of Strauss dhe KulturGarage. Të dielën, në skenën ikonike të Musikverein-Golden Hall, në kuadër të koncertit Gala, u shpallën edhe fituesit dhe Kosova u ngjit në podium.
Sipas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, “ky çmim është një dëshmi e përkushtimit dhe nivelit që po arrin rinia jonë muzikore. Republika e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë thellësisht krenarë dhe të përkushtuar në mbështetjen e talenteve të reja që, me pasion dhe disiplinë, po e çojnë emrin e Kosovës gjithnjë më lart. Kur fëmijët tanë marrin skenën, nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, mjafton të dëgjosh duartrokitjet”./Katror.info