Një nga emrat më të njohur të skenës operistike ndërkombëtare, Maestro Roberto Rizzi Brignoli, do të jetë dirigjenti i mbrëmjes gala “Rame Lahaj & Friends”, që mbahet më 2 gusht në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke nisur nga ora 20:30, shkruan Katror.info.
Rizzi Brignoli është aktualisht drejtor muzikor i Teatro Municipal de Santiago dhe Nationaltheater Mannheim, ndërsa karrierën e nisi në Teatro alla Scala në Milano, ku punoi ngushtë me dirigjentin legjendar Riccardo Muti. Me një formim të thellë në piano, kompozim dhe dirigjim, ai është i njohur për interpretimet e jashtëzakonshme të repertorit italian dhe francez. Ka dirigjuar në disa nga skenat më prestigjioze të botës, përfshirë Deutsche Oper Berlin, Bolshoi Theatre, Teatro Real de Madrid, dhe ka debutuar në Metropolitan Opera në vitin 2010 me veprën La bohème.
Përveç operës, Brignoli është aktiv edhe si dirigjent simfonik dhe ka regjistruar për label-et e njohura Sony dhe Warner Classics. Prania e tij në këtë gala e kthen ngjarjen në një moment kulmor të verës kulturore në Prishtinë./Katror.info