Rrjeti ndërkombëtar i lajmeve Al Jazeera, me edicionin e saj të fundit më 12 korrik, ka ndërprerë zyrtarisht aktivitetin, ndërsa transmetimi me përmbajtje të regjistruara më parë do të vazhdojë deri në fund të këtij muaji.
Menaxhmenti i Al Jazeera-s nuk ka dhënë ndonjë sqarim se cilat janë arsyet që kanë dërguar në këtë vendim.
Lajmet e fundit u drejtuan nga moderatorja Dalija Hasanbegovic Konakovic, e cila, pas një përmbledhjeje të zakonshme të ngjarjeve aktuale, i falënderoi shikuesit për besimin e tyre.
“Të nderuar shikues, ky ishte edicioni i fundit i lajmeve i Al Jazeera Balkans. Faleminderit për gati 14 vjet besim. Jemi krenarë për secilën prej 4 mijë e 970 ditëve që kemi kaluar duke ju shërbyer juve. Po largohemi nga studioja jonë qendrore në Sarajevë”, u shpreh ajo.
Në të njëjtën frymë u shprehën edhe gazetarët e këtij mediumi përmes një shkrimi të publikuar në faqen e tyre zyrtare.
“Gjithmonë kemi provuar të jemi zëri i atyre që nuk dëgjohen, një ishull i së vërtetës, një kulturë dialogu dhe gazetarie etike. Asnjë nga këto nuk do të kishim mundur t’i bënim pa besimin dhe mbështetjen tuaj. Faleminderit që ishit me ne”, thuhet në shkrimin e publikuar në mediumin Al Jazeera Balkans.
Gjatë 14 viteve të fundit, Al Jazeera Balkans është bërë veçanërisht e njohur për përmbajtjen e saj origjinale në segmentin dokumentar, por edhe për një sërë projektesh të tjera. Ky është stacioni i parë televiziv i Al Jazeera-s që ka transmetuar program në një gjuhë tjetër, përveç arabishtes dhe anglishtes.
Al Jazeera Balkans ka mbuluar tregun rajonal me zyra në Prishtinë, Shkup, Lubjanë, Zagreb, Podgoricë dhe Beograd.
Ndërkohë, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve në BHRT ka deklaruar se i jep mbështetje të plotë gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të Al Jazeera Balkans (AJB)./AP/Katror.info