Zgjatja e afatit për dy javë ka rezultuar me rritje prej 11-fish më shumë të numrit të projekteve filmike që kërkojnë buxhet nga shteti. Me këtë hap për të nxitur aplikimet, interesimi i sivjetshëm i përafrohet interesimit me vitin e kaluar, kur për thirrje të ngjashme kishin aplikuar afro 140 projekte. Në konkursin që u hap më 22 maj dhe fillimisht ishte paraparë të mbyllej më 25 qershor, qenë dorëzuar jo më shumë se 11 aplikime në të gjitha kategoritë. E pas zgjatjes së afatit, sipas listës preliminare që është publikuar në faqen e QKK-së, numri i aplikimeve është 126 projekte filmike.
Ndonëse nuk e ka përfunduar procesin komisioni i hapjes për këto projekte, në uebfaqen e QKK-së është publikuar një listë preliminare, ndërkaq drejtoresha e këtij institucioni, Blerta Zeqiri, ka treguar se kjo mund të dihet pasi të ketë përfunduar i tërë procesi.
“Akoma nuk e ka përfunduar punën komisioni i hapjes, jemi në pritje. Domethënë e dimë përafërsisht se sa kanë aplikuar në bazë të listës preliminare që e kemi vendosur në ueb-faqen tonë, por saktë mund ta dimë pasi që komisioni i hapjes të ketë përfunduar punën. Atëherë e dimë se sa projekte kanë aplikuar dhe që i përmbushin kushtet sipas thirrjes për aplikim”, ka thënë Zeqiri në një përgjigje për KOHËN.
Se sa do të zgjasë afati i shqyrtimit të mëtejshëm nuk dihet, por për rezultatet finale të përzgjedhjes, Zeqiri ka thënë kufi.
“Mendojmë se duhet t’i kemi deri nga fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit”, ka thënë ajo.
Kjo thirrje përmbante 11 kategori të ndryshme, ku mund të aplikohej me projekte për film të metrazhit të gjatë artistik, film të metrazhit të gjatë dokumentar, film të metrazhit të gjatë me buxhet të ulët ose eksperimental, film të metrazhit të shkurtër artistik, film të shkurtër të animuar, film të shkurtër dokumentar, film të shkurtër studentor, zhvillim të skenarit për film të metrazhit të gjatë artistik dhe të animuar, post-produksion për film të metrazhit të gjatë artistik dhe dokumentar, bashkëprodhim minor për film të metrazhit të gjatë, zhvillim të projektit për film të metrazhit të gjatë artistik, dokumentar dhe të animuar, si dhe për film të shkurtër të animuar. Megjithatë, dinamika e aplikimeve është rritur ndjeshëm pas zgjatjes së afatit, i cili qëndroi i hapur deri më 7 korrik, një vendim që QKK-ja e kishte arsyetuar me numrin shumë të ulët të projekteve të pranuara deri në atë kohë.
Më herët, për konkursin e dhjetorit të kaluar QKK-ja kishte përzgjedhur vetëm tri projekte të filmave të gjatë për t’i mbështetur me gjithsej 800 mijë euro nga buxheti prej dy milionësh që ka në dispozicion për subvencione këtë vit. Pjesa e mbetur – rreth 1.2 milion euro – i ishte dedikuar kësaj thirrjeje të re, që tashmë ka përfunduar duke arritur në njëfarë mënyre ta rikthejë interesimin e dikurshëm të komunitetit filmik.
Sipas listës për shqyrtim, janë pranuar gjithsej 126 projekte filmike për 11 kategoritë e parapara. Për këtë ndryshim drastik, nga 11 në 126, ka komentuar drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri.
“Këtu vetëm mund të spekuloj. Më shkon mendja se të gjithë kanë menduar se kanë më shumë shanse, pasi që ka pasur pak aplikime”, ka thënë ajo.
Me numër të aplikimeve prin kategoria për film të metrazhit të shkurtër artistik me 30 projekte, që pason me kategorinë për zhvillim skenari për film të metrazhit të gjatë (artistik, dokumentar & animuar) me 26 projekte. Mirëpo, siç duket, në listën e përditësuar është një projekt mangët, sepse aty figurojnë 25.
Për film të metrazhit të gjatë artistik janë pranuar 12 projekte, e paraprakisht, Qendra Kinematografike e Kosovës kishte përzgjedhur që prej 12 aplikimeve të atëhershme për projekte kinematografike për këtë kategori, t’i mbështesë vetëm tri prej tyre e vetëm për ato projekte kanë shkuar 800 mijë euro.
“Dua” me skenar e regji të Blerta Bashollit kishte marrë përkrahjen më të madhe me 340 mijë euro. I dyti renditej “Dua të shkoj sërish në det” me skenar e regji të Leart Ramës, që ishte përkrahur me 240 mijë euro. Kurse i treti është “Gjurmë” nën regji të Rita Krasniqit, që është mbështetur me 220 mijë euro. Përzgjedhja ishte bërë nga një juri që e kishte emëruar QKK-ja, në përbërje të Tin Dirdamalit, Norika Sefës, Antoneta Kastratit, Thomas Logorecit dhe Alireza Ghaseminit.
Tani kësaj thirrjeje të re ia kanë vënë cakun projektet “Një fanellë e kuqe” nën regji të Korab Lecajt, “Babai dhe Babai” në regji të Besim Ugzmajlit, “Vandal” nën regjinë e Ilirjan Himajt, “Lost Frames” me regji të Samir Karahodës, “Lindur për të jetuar” nën regjinë e Kastriot Abdylit, “Lumi Na” nën regjinë e Anita Morinës, “Leben 1981 -2025” me regji të Genc Berishës, “Cigani” nën regjinë e Peter Anthonyt, “Adet” me regji të Mentor Shalës, “Zëri që nuk dëgjohet” nën regjinë e Luan Kryeziut, “Lumi” me regji të Edon Rizvanollit, dhe “Buna” nën regjinë e Ilir Blakçorit.
Kategoritë e tjera kanë më pak aplikime: për film të metrazhit të gjatë dokumentar kanë aplikuar 7 projekte; për film të metrazhit të shkurtër dokumentar – 8 projekte; për film të metrazhit të shkurtër të animuar janë 9 projekte aplikuese; në kategorinë për zhvillim projekti për film të metrazhit të gjatë (artistik, dokumentar & animuar) kanë aplikuar 5 projekte.
Për film të metrazhit të gjatë artistik – koproduksion minor janë në shqyrtim 12 projekte filmike; në kategorinë për post-produksion për film të metrazhit të gjatë janë 8 projekte; për film të metrazhit të shkurtër artistik studentor – 4 projekte, ndonëse në listën e përditësuar figurojnë 5 projekte filmike, ndërkaq për film të metrazhit të gjatë avangarde/eksperimental kanë aplikuar 5 projekte. Për krejt këta numra, drejtoresha Zeqiri ka thënë se është e kënaqur.
“Unë jam e kënaqur me numrin e aplikimeve, ndërsa për sa i përket përmbajtjes së aplikimeve është punë e jurisë. Mbi këtë çështje mund të shprehem vetëm pasi të ketë përfunduar punën juria dhe të më ketë dhënë rekomandimet dhe mendimet rreth projekteve aplikuese”, ka thënë ajo në përgjigjen drejtuar KOHËS./Katror.info