Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka hapur zyrtarisht aplikimet për projektin madhor “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3 në Termocentralin Kosova A”, një investim prej 137 milionë euro nga mjetet vetanake të korporatës.
Për këtë tender janë dorëzuar pesë aplikacione nga operatorë ekonomikë ndërkombëtarë dhe vendorë, ndër ta: Grupi SBB Energy S.A – Intering Sh.P.K – Ethos Energy; Kompania Limak Insaat Sanay ve Ticaret A.S; Kompania Golden Concord Group Limited; Grupi KEPCO Plant Service & Engineering Co, Ltd – DYPNF Co., Ltd – BHI Co., Ltd; si dhe grupi HIB Petrol Sh.P.K – Florian Viqa – NTPC Limited.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi rëndësinë e këtij procesi duke e cilësuar një garë serioze që dëshmon besimin e operatorëve në transparencën dhe peshën e këtij projekti.
“Kjo është një njësi që ka punuar për dekada në kushte të vështira, shpesh pa kapacitet teknik për funksionim të plotë. Investimi i planifikuar do të sigurojë që blloku A3 të vazhdojë të jetë funksional për së paku edhe 20 vite të tjera, me rritje të kapacitetit prodhues nga 130 në 215 megavat bruto”, tha Rizvanolli.
Procesi i prokurimit për këtë projekt ishte hapur më 23 janar 2025, por ishte pezulluar përkohësisht pas një ankese për kritere të dyshuara diskriminuese. Megjithatë, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e hodhi poshtë ankesën, duke i hapur rrugë KEK-ut për të vazhduar më tej me procedurat.
Rehabilitimi i njësisë A3 në Kosova A pritet të sjellë përfitime të mëdha për sistemin energjetik të vendit, duke garantuar stabilitet afatgjatë dhe një rritje të ndjeshme të kapacitetit prodhues në sektorin publik të energjisë./RTK/Katror.info