Më shumë se 300,000 jetë janë shpëtuar në vendet në zhvillim që nga viti 2000, falë programeve emergjente të vaksinimit kundër sëmundjeve si fruthi, kolera, meningjiti meningokokal, ethet e verdha dhe Ebola, sipas një raporti të publikuar së fundmi në British Medical Journal.
Raporti thekson se, gjatë periudhës 2000–2023, falë vaksinimit, vdekjet nga pesë sëmundjet e përmendura janë reduktuar me rreth 60%, shkruan Positive News, përcjell Katror.info.
Autorët e studimit vlerësojnë se kursimet ekonomike që lidhen me këto ndërhyrje arrijnë në rreth 32 miliardë dollarë, duke theksuar se përfitimet më të mëdha financiare vijnë nga parandalimi i vdekjeve dhe shmangia e kostove për kujdesin afatgjatë për personat me paaftësi të shkaktuara nga këto sëmundje.
“Për herë të parë, kemi mundësi të kuantifikojmë në mënyrë të plotë përfitimet, si në aspektin njerëzor ashtu edhe ekonomik, të përdorimit të vaksinave kundër shpërthimeve të disa prej sëmundjeve më vdekjeprurëse ngjitëse,” tha Dr. Sania Nishtar, drejtoreshë ekzekutive e Gavi – aleanca për vaksinat, e cila ka financuar kërkimin.
Ajo shtoi: “Ky studim tregon qartë fuqinë e vaksinave si një kundërmasë me kosto-efikase ndaj rrezikut gjithnjë në rritje që bota përballet nga shpërthimet epidemike.”/Katror.info