Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar ka përmbyllur me sukses edicionin e tij të 16-të më 20 korrik në Pejë, duke kurorëzuar një javë të mbushur me filma, diskutime, energji krijuese dhe prani ndërkombëtare. Tema e këtij viti, “WTF – What’s the Future?”, nxiti krijuesit që përmes animacionit të shqyrtonin dilemat ekzistenciale dhe sociale të së ardhmes.
Në ceremoninë përmbyllëse mori pjesë edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke nënvizuar rëndësinë që festivali ka fituar si platformë kulturore në rajon.
Fituesit kryesorë të edicionit
Në kategorinë garuese ndërkombëtare, çmimi kryesor iu dha filmit “Dog Alone” të regjisores Marta Reis Andrade, një histori prekëse mbi vetminë dhe lidhjet njerëzore, ndërsa çmimi “Përmendje e Veçantë” shkoi për “Dollhouse Elephant” të Jenny Jokela, një film që juria e përshkroi si një përvojë që “i prek të gjitha shqisat”.
Në kategorinë ballkanike, triumfoi filmi “How” i Marko Meštrović, një reflektim poetik mbi ekzistencën dhe ciklet e pafundme të jetës.
Në garën studentore, çmimin e parë e fitoi “Children of the Bird” nga Julia Tudisco, një rrëfim mitologjik për lindjen dhe vdekjen e planetit. Përmendje të veçanta iu dhanë filmave “The Eating of an Orange” (May Kindred-Boothby) dhe “Poppy Flowers” (Evridiki Papaiakovou).
Në programin “Pitch It!”, që mbështet projekte në zhvillim nga animatorë të rinj, vendin e parë e zuri Flaka Kokolli me projektin “I Still Haven’t Cried”, pasuar nga Verica Tenekedjieva me “Transporting Woman” dhe Katarina Zaharijev e Marija Maletić me “The Last Bookstore in the World”.
Fokus te të drejtat e njeriut dhe muzika
Në kategorinë e filmit për të drejtat e njeriut, çmimin kryesor e fitoi “Romina” nga Bee Grandinetti, një film i fuqishëm për një vajzë 14-vjeçare që përballet me kufizimet e abortit në SHBA. Një përmendje e veçantë iu dha filmit “Cimarron” nga Rémi Vandenitte dhe Cédric Bourgeois.
Në garën për video animacionet muzikore, fitues u shpall “feelslikeimfallinginlove” nga Coldplay, me regji të Raman Djafari, ndërsa përmendja e veçantë shkoi për klipin satirik “Bob Dylan’s Big Dick” të Chris Lambourne.
Audienca e të rinjve në fokus
Në garën e audiencës së të rinjve, çmimi kryesor i shkoi filmit “Down in the Dumps” të Vera van Wolferen – një metaforë delikate për vetëvlerësimin dhe pranimin e vetes. Përmendja e veçantë u dha për “The Legend of the Hummingbird” nga Morgan Devos, një tregim për guximin në kohë të vështira.
Një festival që sfidon të tashmen dhe frymëzon të ardhmen
Organizatorët e Anibar falënderuan pjesëmarrësit, partnerët dhe publikun për mbështetjen e një edicioni që sërish e vendosi Pejën dhe Kosovën në hartën ndërkombëtare të animacionit. Me rrëfime të guximshme, pyetje të thella dhe një atmosferë krijuese të jashtëzakonshme, Anibar 2025 konfirmoi rolin e tij si një festival që jo vetëm promovon artin e animacionit, por edhe nxit reflektimin mbi të ardhmen e përbashkët./Telegrafi./Katror.info